Drejtori sportiv i ekipit të Superligës: Janë rezervistë, kur i kontaktojmë kanë çmimin sa të Ronaldos

Skuadra kuqezi nga Prishtina, Flamurtari nesër i nis përgatitjet për stinorin pranveror në futbollin kosovar.

Grumbullimi i skuadrës do të bëhet në stadiumin e Flamurtarit derisa ato do të udhëhiqen nga trajneri Sunaj Keçi së bashku me ndihmësin e tij Arsim Plepolli.

Të kujtojmë se Flamurtari pati arritur marrëveshje me trajnerin Bylbyl Sokoli por që më të u ndanë pas vetëm një jave punë, duke bërë që klubi të rikthehet në duart e trajnerit Keçi.

Drejtori i skuadrës Arbnor Morina në një bisedë për gazetën ka njoftuar se skuadra nesër i nis stërvitjet derisa nuk ka pranuar të flas për ndonjë përforcim të mundshëm në këto momente, duke thënë shkurt se janë vetëm në bisedime.

Arbnor Morina

Zëri.info mëson se Flamurtari është në negociata të vazhdueshme me disa futbollistë nga Shqipëria dhe Maqedonia të cilëve u ka bërë ofertë dhe pritet të shihet sesi do të përfundojnë ato, derisa Morina ka zvogëluar mundësitë që të kemi përforcime me lojtarë vendorë.

“Futbollistët vendorë janë me çmime sikur Ronaldo ndërsa shumica e tyre po qëndrojë rezervistë në klubet e tyre. Ne kemi disa oferta për lojtarët nga jashtë kështu që do të shohim çfarë do të bëhet”, ka vlerësuar Morina.