Myrto Uzuni do të jetë idhulli i skuadrës së Granada. Drejtori sportiv Pep Boada ka folur përpara mediave me superlativa për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, duke thënë se ai ishte lojtari më i mirë i Ferencvaros në kampionatin hungarez.
Boada është i bindur që vështirësitë që ka pasur lojtari beratas në karrierën dhe në jetë e kanë ndihmuar për t’u rritur. Ai gjithashtu beson që Uzuni e konsideron këtë transferim si shansin e jetës së tij.
“Jam i sigurt që Uzuni do të na surprizojë. Ka një dëshirë të çmendur dhe të jashtëzakonshme për të lënë gjurmë. Ka pasur vështirësi në karrierë dhe në jetë, të cilat e kanë bërë që të rritet.
Vjen me shumë ambicie sepse e di që ky është shansi i artë i jetës së tij. Do të na sjellë shpejtësi, vertikalizime dhe lojë të fortë në një kundër një.
Ai ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së tij. Do të jetë një futbollist i dashur në këtë skuadër dhe për këtë jam i bindur”, ka thënë Pep Boada.