Reperi i famshëm kanadez, Drake duket se më në fund ka lënë pas mallkimin që e përndiqte në lojërat e fatit. Drake njihet si një i apasionuar pas sporteve të ndryshëm dhe shpesh në rrjetet sociale shpërndan edhe bastet që luan rreth eventeve sportive.
Por, nëse deri para pak kohësh tersi ishte gjithnjë në anën e tij teksa kujtojmë se si Drake gaboi në parashikimet e tij rreth triumfit të Argjentinës brenda 90-minutëshit në finalen e Botërorit ndaj Francës, apo për triumfin e Barcelonës në El Clasicon e parë të sezonit ndaj Real Madrid, më në fund duket se “yjet janë rreshtuar në krahun e tij” pasi së fundmi, Drake fitoi plot 2.7 milionë dollar.
Basti i fundit i kanadezit lidhej me një event për titullin botëror të peshave të mesme në UFC 287, mes Israel Adesanya dhe Alex Periera. 36-vjeçari kishte vendosur dy baste të ndryshme në favor të Adesanya, një me shumë 500.000 dollarë që Adesanya fitonte ndeshjen dhe një tjetër me shumë 400.000 që Adesanya e fitonte ndeshjen me Knock Out.
Të dyja bastet u realizuan në fund duke i dhuruar Drake plot 2.7 milionë dollar. Interesant është fakti se në ndeshjen e parë mes dy luftëtarëve të zhvilluar disa kohë më parë, Drake kishte mbështetur dhe investuar para tek Adesanya, por ky i fundit ishte mposhtur nga Periera. Megjithatë, reperi i famshëm besoi deri në fund të Adesanya dhe fitoi një shumë të majme.
Gjithsesi, ky nuk ishte basti i fundit i vendosur nga Drake në mbrëmjen e kaluar, pasi kanadezi besonte edhe te suksesi Masvidal ndaj Burns duke vendosur një bast prej 400.000 paund për fitoren e Masvidal. Por, ai humbi dhe së bashku me të edhe Drake. Gjithsesi, të paktën këtë herë Drake nuk e mbylli me disfatë mbrëmjen dhe ia doli që pas disa parashikimeve të gabuara, të “qëllonte” në shenjë.