Dragusha e Hashani sqarojnë ‘martesën’ me Hajvalinë

Ende pa u mbyllur garat në këtë edicion, klubi i Hajvalisë ka nisur që të mendojë për edicionin e ardhshëm. Klubi nga paralagjia e Prishtinës, e ka zgjedhur çështjen e trajnerit për edicionin e ardhshëm duke e emëruar Mentor Miftatin. Shumica e lojtarëve kryesor i kanë vazhduar kontratat kurse transferi i parë është mesfushori Shpëtim Babaj.

Lojtarët më shumë përvojë Alban Dragusha e Erdin Hashani, janë në mesin e atyre që kanë lidhur besë me Hajvalinë.

Gjiganti Alban Dragusha sqaron arsyet se pse vendosi për hajvaliasit. “Sigurisht se serioziteti i kryesisë së klubit ka qenë arsyeja kryesore pse kam vazhduar me Hajvalinë. Besoj se në edicionin e ardhshëm do të jemi kandidati kryesor për titullin e kampionit, priten edhe pak përforcime edhe pse tani e kemi një skuadër tejet cilësore”, ka thënë Alban Dragusha për Gazetën ‘Olle’. “Shpresoj se edicionin e ardhshëm do të na mundësohet pjesëmarrja në Kupat e Evropës, fakt i cili do ta bënte kampionatin shumë interesant”, shtoi Alban Dragusha.

Hashani: Te Hajvalia sikurse në shtëpi

Mbrojtësi flokëverdhë, Erdin Hashani, tash e tri vite është pjesë e Hajvalisë. Ai tashmë po ndjehet te Hajvalia sikurse në shtëpi. “Ka shumë arsye pse kam vazhduar me Hajvalinë. Mirëpo, arsyeja kryesore është se drejtuesit e klubit, Mehedin Përgjegjaj (Meda), Ragip Murati e Xhavit Pacolli kanë qenë shumë korrekt me mua sikurse asnjë klub më parë. Tash e tri vite nuk kam pasur asnjë problem në Hajvali dhe mendoj se nuk ia vlen që të ndërrojë ambient dhe nuk e kam ndërmend që të lëviz. Thjesht, ndjehem sikurse në shtëpi”, ka thënë një ndër mbrojtësit më cilësor në futbollin kosovar, Erdin Hashani.