Draft-Statuti i FFK-së, Salihu: Ky është mashtrimi më i madh, delegatët po konsiderohen ‘budallenj’

Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu në një prononcim për Gazeta Metro ka thënë se draft-statuti i FFK’së që do të votohet më 27 janar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të thirrur nga FFK’ja është mashtrimi më i madh që po dëshiron t’i bëhet futbollit kosovar.

Fillimisht, Salihu ka deklaruar se Kuvendi është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme, pasi që sipas tij delegatët e FFK’së duhet një muaj më herët ta kenë draft-statutin në mënyrë t’i dërgojnë rekomandimet e tyre 20 ditë para mbajtjes.

Ai ka akuzuar udhëheqësin e FFK’së që po i konsideron ”budallenj” delegatët.

”Së pari kur të miratohet statuti që konsiderohet kushtetutë e një organizate sportive, minimumi që duhet të bëhet para mbajtjes së Kuvendit është se delegatët një muaj më herët duhet ta kenë në dorë atë në mënyrë që t’i dërgojnë sugjerimet 20 ditë para mbajtjes. Domethënë është thirrur në mënyrë totalisht të jashtëligjshme. E dyta të them të drejtën është mashtrimi më i madh që po dëshiron të ju servohet komunitetit të futbollit ndonjëherë. Për fat të keq, por me respekt për të gjithë por kjo kryesi po i konsideron sikurse budallenj delegatët,” tha ai.

Tutje, Salihu ka thënë se me draft-statutin që e ka parë ai ka shumë shkelje të neneve. Siç thotë ai nëse miratohet ky draft-statut atëherë do të ju mbyllen dyert personave që nuk kanë qenë pjesë e FFK’së në pesë vitet e fundit.

”Është turp sepse janë shkelur shumë nene. Nuk përcaktohet zgjedhja e dy anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, pastaj thotë se nuk duhet me qenë të dënuar me vepra penale nga kapitulli 33, faktikisht njerëz që kanë vrarë dhe kanë dhunuar mund të jenë sipas tyre dhe duhet të jesh aktiv në federatë në pesë vitet e fundit. Këtu ju mbyllen dyert biznesmenëve, ndonjë njeriu të madh të futbollit sepse ata ndoshta nuk kanë qenë në FFK në pesë vitet e fundit,” tha ai për Gazeta Metro.

Ai komentoi edhe nenin e 88 që u publikua sot në media, ku shihet qartë se ka favorizime të dukshme për presidentin e federatës Agim Ademin dhe anëtarët e organit më të lartë të federatës, Komitetit Ekzekutiv.

”Thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm e kanë bërë me 2/3, në të kaluarën ka qenë vetëm 50% ndërsa në standardet ndërkombëtare është 1/3 dhe duhet të dërgohet 25 ditë më herët në rendin e ditës. Mandati i Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv po thotë se është katër vjet për pjesën e mbetur, kurse në nenin 88 thuhet se mandati i Presidentit dhe Komitetit zgjat deri në vitin 2026.”

”Domethënë gjashtë vjet do të rrinë pa kurrfarë zgjedhje, kjo është totalisht mashtrimi më i madh që po dëshiron të bëhet. Po ashtu thotë se mandatet tona deri tash që janë këto nuk vlejnë, por do të vlejnë vetëm prej vitit 2026. Faktikisht po dëshirojnë të qëndrojnë afër 20-30 vjet në pozita udhëheqëse,” tha ai.

Në fund, ai potencoi se është i bindur që ky statut nuk do të votohet nga delegatët e FFK’së dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta refuzojë.

 

”Çka është tjetër me shumë rëndësi ku thuhet se emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm, emërimi dhe shkarkimi i administratës bëhet nën drejtimin e Presidentit. Kështu që mashtrimet janë aq të mëdha saqë besoj që do të hedhet poshtë nga delegatët dhe jam i bindur se Ministra do ta refuzojë. Po flitet se ka ardhur nga Shqipëria ky statut, por jam i bindur që nuk është i miratuar në këtë formë në FIFA dhe UEFA prandaj e konsideroj mashtrimin më të madh në historinë e futbollit kosovar,” përfundoi ai për Gazeta Metro.

Duhet theksuar gjithashtu se tash e disa javë FFK’ja ashtu si edhe shumë federata të tjera është në proces të licencimit nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

Nga një moslicencim i mundshëm i FFK’së siç dihet më së shumti penalizohen klubet të cilat pastaj nuk mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit.

Komisioni kishte vlerësuar se lista e kushteve që nuk i ka plotësuar FFK’ja është shumë e gjatë, ku ndër të tjera mungojnë edhe dëshmitë gjyqësore që i kërkojnë ata.

Sermaxhaj përshëndetet me futbollistët e Malishevës, tregon fajtorin pse u largua nga ky klub

Llapi barazon me skuadrën hungareze në ndeshjen e parë miqësore në Antalya