Donjeta Sadiku fiton meçin e parë në turneun ndërkombëtar “Strangja”

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e ka fituar meçin e parë në turneun ndërkombëtar “Strangja” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Donjeta boksoi të hënën në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa e mposhti garuesen nga Mongolia Namuun Monkhor.

“Strangja” po zhvillohet për herë të 75-të. Është turneu më i vjetër në Evropë. Po garojnë 178 boksierë nga 28 shtete të ndryshme.

Në kategorinë e lehtë (60 kg) janë 15 boksiere. Donjeta vazhdon garimin në çerekfinale.

Turneu në Bullgari shërben si përgatitje për turneun kualifikues botëror për Lojërat Olimpike “Parisi 2024” që mbahet prej 29 shkurtit deri më 12 mars në Busto Arsizio të Italisë.

Kosova ende nuk ka normë olimpike në sportin e boksit. Gjasat më të mëdha vlerësohet se i kanë Donjeta Sadiku dhe Shpëtim Bajoku. Turneu i dytë dhe i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike mbahet prej 23 majit deri më 3 qershor në Bangkok të Tajlandës. /Gazeta Olle/

FFK-ja krijon edhe Kombëtaren u16 të Kosovës

Mbappe heq dorë nga miliona euro për t’u bashkuar me Realin