Djali i Mourinhos ‘kapet’ me tifozë

Djali i Jose Mourinhos ka kritikuar fansat e Chelseat pasi fishkëllyen mesfushorin Cesc Fabregas pas barazimit 1:1 ndaj Southamptonit në fundjavë.

Fabregas bëri disa gabime gjatë ndeshjes, dhe pas saj fansat e fishkëllyen dhe më vonë shpërthyen në rrjetet sociale duke e kritikuar ashpër atë. Spanjolli është asistuesi më i mirë në ligë me 15 asistime, por ai në dhjetë ndeshjet e fundit ka ndihmuar në vetëm një gol.

“Përse të gjithë po e urrejnë dhe fajësojnë Fabregasin për performancën e të dielës…ishte dështim i ekipit”, ka shkruar Jose Mourinho Jr në rrjetin social Instagram.

“Fabregasi ndoshta nuk ka luajtur si më parë, por të paktën ai po vazhdon të luftojë në fushë… Tregoi karakter. Kam parë shumë fansa të këqij të Chelseat, por të dielën ishte më e keqja që kam parë, fansat fishkëllenin Cescun, dhe pajtohem me thirrjet e klubeve tjera që fyejnë fansat e Chelseat. Fansat tanë janë turp”, ka shkruar portieri i skuadrës për të rinjtë te Fulhami.

Edhe trajneri i Chelseat, Mourinho, disa herë në të kaluarën ka kritikuar fansat e skuadrës së tij.