“Divorce” të shumta te Feronikeli, ky është arsyetimi nga drejtori i klubit

Ish-kampioni i Superligës së Kosovës në futboll, Feronikeli, është duke mbetur pa lojtarët kyç të skuadrës.

“Industrialistët” më të përfunduar edicioni 2020/2021 kanë ndarë rrugët me disa lojtarë të cilëve iu ka përfunduar kontrata dhe kanë mbetur lojtarë të lirë.

Duket se një “revolucion” ka filluar të ndodhë te klubi nga “Rexhep Rexhepi”, për faktin se deri më tani janë gjashtë futbollistë titullarë që kanë konfirmuar “divorcin” me klubin drenicas.

Përparim Islami, Jean Carioca, Besmir Bojku, Albert Dabiqaj, Yll Hoxha, Ilir Avdyli e Adem Maliqi janë të larguarit e parë të konfirmuar nga Drenasi.

Drejtori i Feronikelit, Artan Berisha në një prononcim për Demokracia.com është deklaruar në lidhje me largimet e fundit nga klubi.

Berisha ka theksuar se lojtarët e larguar u ka përfunduar kontrata, dhe se fillimisht janë të fokusuar të zgjidhin punën e trajnerit pastaj të sjellin përforcime në skuadër.

Lojtarët të cilët po largohen ju ka përfunduar kontrata. Me disa lojtarë kemi ende kontratë dhe për momentin jemi në bisedime për të zgjidhur çështjen e kryetrajnerit e pastaj të shohim për përforcimet e mundshme”, deklaroi Berisha të hënën për Demokracia.com.

Edicionin e kaluar nën drejtimin e trajnerit shqiptar, Klodian Duros, Feronikeli regjistroi një ndër sezonet më të dobëta në histori të klubit.

“Gjelbërebardhët” siguruan mbijetesën tek në xhiron e fundit të kampionatit duke u pozicionuar në vendin e 6-të me 42 pikë, vetëm dy më pak se Arbëria e cila ra direkt nga elita e futbollit kosovar.