Dita e Kosovës, vashat tona sonte sfidojnë Estoninë

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave do të luajë sonte ndeshjen kundër Estonisë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2021.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 19:00.

Para stërvitjes në konferencë për media përzgjedhësja, Afërdita Fazlija dhe lojtaret Edona Kryeziu dhe Erëleta Memeti, kanë shfaqur optimizmin për fitore, edhe pse kanë vu në pah mungesat e rëndësishme për këtë ndeshje.

Përzgjedhësja Fazlija pret që futbollistet që do të paraqiten në fushën e lojës do të japin maksimumin, derisa theksoi se në bazë të grupit dhe në bazë të rrethanave ende janë brenda objektivit pasi deri në fund të ciklit kualifikues janë edhe 5 ndeshje.

Ndërkaq, kapitenia Edona Kryeziu theksoi se në ndeshjet e fundit 70% e ekipit të parë kanë qenë lojtaret nga Diaspora, kurse këtë herë Kombëtarja do të bazohet në lojtare nga kampionati vendor dhe për këtë arsye e ka vlerësuar si ndeshjen më të vështirë të këtij cikli.

Në anën tjetër, njëra nga dy futbollistet e vetme nga klubet evropiane që ka arritur të vijë në këtë ndeshje, Erëleta Memeti ka thënë se beson te fitorja pa marrë parasysh se kanë mungesa të shumta.