Krasniqi po kthehet me një ndryshim të kategorisë, ku pas disa vitesh do të garojë në minus 52 kilogramë, për dallim nga kategoria -48 kg, në të cilën u bë kampione olimpike.
Xhudistja jonë është e vetmja nga ekipi i xhudos së Kosovës, që do të garojë në Grand Slamin e Bakusë, që mbahet prej 5-7 nëntor në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
“Kam ardhur për të garuar në -52 kg. Është kategoria që më përshtatet më së miri”, thotë Krasniqi për uebfaqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (ijf.org.). Në pyetjen se çfarë po bënte deri tash në kategorinë -48 kg, ajo përgjigjet: “Ishte disi si një operacion komando, një strategji afatshkurtër për të fituar të artën olimpike”.
Krasniqi në luftën e parë do të përballet me Nanako Tsubone të Japonisë, ndërsa në raundin e dytë e pret hungarezja, Reka Pupp, e cila kishte mundur Majlinda Kelmendin në Olimpiadën e Tokios.