Disa futbollistë të Gjilanit rezultuan pozitivë në testin e parë për Covid-19, priten lajme të mira nga testet e dyta

Ashtu si Dritën dhe Prishtinën, Covid-19 ka shqetësuar edhe klubin e Gjilanit para ndeshjes kualifikuese për Ligën e Evropës.

Gazeta Olle ka mësuar prej ditësh që disa futbollistë të skuadrës gjilanase kanë dalë pozitivë në testin e bërë.

Klubi bardhekuq ka preferuar të mos konfirmojë lajmin, duke shpresuar në shërimin e lojtarëve të cilët do t’i nënshtrohen edhe testit të dytë.

Emrat e lojtarëve të prekur me virus janë të njohur për redaksinë, por s’do të publikohen për shkak të korrektësisë.

Sigurisht ata janë vetizoluar dhe për këtë arsye po mungojnë në stërvitjet e skuadrës.

Megjithatë, lojtarët kanë kohë të mjaftueshme të shërohen plotësisht, pasi që Gjilani ndeshjen ndaj Tre Pennes e luan më 20 gusht.

Gjilani siguroi kualifikimin në garat ndërkombëtare për herë të parë në histori të klubit (Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)

Dje drejtori i Gjilanit, Sevdail Robelli, në një prononcim për Zërin ka deklaruar që “klubi është në pritje të rezultateve”.

“Testet i kemi kryer dhe jemi ende në pritje. Kemi pritur dje, kemi pritur sot, por ende nuk ka asgjë”, ka thënë Robelli.

Takimi mes Tre Pennes dhe Gjilanit luhet më 20 gusht në San Marino.

Kjo do të jetë ndeshja e parë në histori të Gjilanit në garat ndërkombëtare.

Fituesi i këtij dueli do të përballet me APOEL-in e Qipros.

Edhe skuadra tjetër që luan në kualifikimet e Ligës së Evropës, Prishtina, ka disa futbollistë të prekur me koroanvirus, zhvillime për të cilat po ashtu “Olle” kishte raportuar ekskluzivisht. /Gazeta Olle/

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)