Dikur në Kosovë lojtarët zëvendësoheshin me numra të shtëpive!

Në vitet e pasluftës në futbollin e Kosovës, kanë munguar semaforët për të sinjalizuar ndërrimet dhe kohën shtesë gjatë një ndeshjeje.

Mirëpo, nuk gjë nuk mund të thuhet se ka ndodhur të paktën për një kohë, para luftës, ndonëse futbolli ynë është luajtur nëpër ara e livadhe. Ndoshta jo të gjithë e dinë se ‘zbuluesi i parë i semaforëve’ ka qenë trajneri Murat Bllacaku, i cili ka punuar te skuadra e Besëlidhjes së Prishtinës. Nuk kanë qenë kushedi se çfarë semaforësh por të cilët e kanë kryer shumë mirë punën. “Më lindi si ide krejt spontanisht duke i parë në televizor ndeshjet ndërkombëtare. Vendosa që në mëhallën time (Lagjja e Muhagjerëve) t’i mbledh numrat që ishin të vendosur në dyert e shtëpive. Ata numra i përdora në ndeshjet që i zhvillonte skuadra e Besëlidhjes”, ka thënë Murat Bllacaku.

Tutje, Murati kujton se komshinjtë nuk i kanë bërë pengesë kur i ka hequr numrat e shtëpizave. “Të gjithë kanë qenë të kuptueshëm sepse e kanë ditur që e kam qëllimin e mirë”, shtoi Bllacaku.

E morën për të çmendur

Historia me numra të shtëpive të Murat Bllacakut, nuk zgjati edhe aq shumë. Ai thotë se njerëzit e detyruan që të heqë dorë. “Kjo punë u bë shumë qesharake dhe kur ngriteshin numrat lart për të bërë një ndërrim ose akorduar lojën shtesë të gjithë qeshnin. Madje, disa menduan se jam çmendur dhe për këtë arsye vendosa që mos t’i përdori më”, kujton Bllacaku duke insistuar se ideja e tij ka qenë e vetmja e tillë në futbollin e paraluftës.

Murat Bllacaku karrierën si futbollist e nisi në vitin 1972 te ekipi i juniorë, Besëlidhja. Ai është aktivizuar si qendërmbrojtës. Ka luajtur për 18-vjet si futbollist. Kurrë nuk e ka ndërruar ekipin, madje as si trajner. Tashmë e ka lënë futbollin dhe punon si vozitës i kamionit në një kompani transportesh.