Dihet fati i Joachim Low

Ai mes Joachim Low dhe përfaqësueses gjermane të futbollit është një raport i destinuar të zgjasë edhe për shumë vite të tjera. Federata gjermane e futbollit nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare në internet bëri me dije se ka rinovuar kontratën me trajnerin që u shpall kampion bote në Botëorin e Brazilit deri në vitin 2018.

Me marrëveshjen e re të firmosur mes palëve drejtuesit e federatës gjermane kanë shfaqur edhe njëherë tjetër besimin e madh që kanë te Joachim Low dhe në një farë mënyre e kanë vlerësuar atë që udhëhoqi përfaqësuesen e pancerave drejt suksesit të saj të 4-t në një Kupë Bote. Në këtë mënyrë Jogi do të drejtojë Gjermaninë jo vetëm në Europianin që do të zhvillohet në Francë në vitin 2016 por edhe në kampionatin Botëror që do të mbahet në Rusi dy vite më pas.

Në komunikatën e saj federata gjermane e futbollit përvec se bëri me dije rinovimin e Low zyrtarizoi edhe zgjatjet e kontratave me anetarët e tjerë të stafit teknik. Deri në vitin 2018 do të jenë pjesë e Die Manschaft edhe trajneri i dytë Thomas Schneider dhe përgatitësi i portierëve Andreas Kokpke, ndërkohë që menaxheri i kombëtares Olivier Bieroff do ta ruajë postin e tij deri në vitin 2020. Nuk mund ta fshihte kënaqsinë e tij për rinovimin  me Jogin presidenti i federatës gjermane të futbollit Wolfgang Niersbach i cili pas firmës në kontratën e re me trajnerin 55-vjecar deklaroi.

Jemi shumë të lumtur që Joachim Low do ta drejtojë kombëtaren tonë edhe në Kupën e Botës të vitit 2018, objektivi ynë është të jemi në majat e futbollit Botëror edhe gjatë viteve në vazhdim. Do të bëjmë gjithcka që kemi në dorë për t’i vënë në dispozicion trajnerit tonë futbollistët më të mirë në kushtet më të mira të mundshme”, deklaroi në përfundim të fjalës së tij Niersbach.

Ndërkohë që Joachim Low i cili e ka marrë drejtimin e pancerave që nga viti 2006, theksoi se nuk u mendua dy herë për të hedhur të zezën mbi të bardhë në kontratën e re. Jemi kampionët e Botës në fuqi dhe dëshirojmë ta përjetojmë sërish një sensacion të tillë shtoi në fund të deklaratës së tij 55-vjecari gjerman.