Dihen finalistet në hendboll për femra

Kastrioti nga Ferizaj, fitues i kupës së vjetshme, demoloi me rezultat 47:30 (26:12) Dritën nga Gjilani, në ndeshjen e gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në hendboll (femrat), e cila u luajt në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Ballafaqimi ka qenë në dominim të ferizajasve dhe në asnjë moment gjilanaset nuk kishin forcë të bënin më shumë. Kryetrajneri i Kastriotit, Xhavit Morina, është i gëzuar për këtë fitore të lehtë dhe shpreson se do të arrijnë të mbrojnë Kupën. Kastrioti-Prishtina, do të ballafaqohen në finale e cila luhet të dielën në orën 15.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

Ekipi i Prishtinës pa telashe ka arritur në finalen e Kupës së Kosovës në hendboll, në konkurrencën e femrave. Kryeqytetaset në gjysmëfinale ishin bindshëm më të mira se Vëllaznimi nga Gjakova dhe i gjunjëzuan me rezultat 31:16 (15:8).