E ardhmja e portierit kosovar, Diant Ramaj, duket më se e ndritur. Ramaj aktualisht është pjesë e Ajaxit, por shumë shpejt pritet t’i bashkohet ndonjë top-klubi evropian.
Të premten fillimisht kishte raportime se për portierin nga Kosova ka shprehur interesim Arsenali. Ndërkohë pasdite u publikuan raporte se për Ramajn ka shprehur interesim edhe kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini. PSG-ja llogaritet një prej klubeve më të fuqishëm në botë në aspektin financiar.
“Paris Saint-Germaini po shikon për portier të ri të dytë, pas Gianluigi Donnarummas, dhe ka dy prej portierëve të rinj më të vlerësuar në Gjermani në listë. Diant Ramaj, që vetëm verën e kaluar u transferua nga Eintracht Frankfurti tek Ajaxi i Amsterdamit dhe Noah Atubolu i Freiburgut raportohet se janë përcjellë nga klubi parisien”, shkruan sajti i specializuar për transferimin e lojtarëve “transfermarkt.de”.
Fillimisht për interesimin e Parisit për Ramajn ka shkruar gazetari italian Luca Bendoni. Më pas raportuan edhe gazetarë të mediumit të fuqishëm, Sky.
“Sipas raportimeve, 22-vjeçari është shumë i çmuar nga zyrtarët e PSG-së, por nuk ka pasur ende kontakt direkt. Ramaj ende ka kontratë me Ajaxin, që befasisht firmosi me portierin nga Frankfurti, verën e kaluar për 5 milionë euro. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2027. Ramaj ka rritur vlerën nga 1 milion euro në 10 milionë euro pas lëvizjes për në Holandë. Kjo e bënë atë portierin e tretë më të vlefshëm gjerman, pas Marc-Andre ter Stegenit dhe Bernd Lenos. Është më i vlefshmi prej portierëve U23”, vazhdon shkrimi i “transfermarkt.de”.
Parisi nuk i garanton vend të rregullt Ramajt, por mund t’i ofrojë të hyra shumë të mëdha financiare.
Tek Ajaxi, Ramaj fillimisht ishte portier rezervë. Por fitoi rastin në fund të tetorit dhe prej atëherë është portieri i parë. Ajaxi nuk ka pasur edicion stabil e të suksesshëm, por Ramaj ishte prej pikave të pakta të ndritura.
Për Ramajn shumë e interesuar është përfaqësuesja e Kosovës, përkatësisht FFK-ja. Por ai nuk i është përgjigjur pozitivisht interesimit të deritashëm të Kosovës. Është duke e pritur Gjermaninë. Ramaj, i lindur në Stuttgart, ka luajtur për U18, U19 e U20 të Gjermanisë.
Raportohet se Ramaj mund të transferohet te Parisi për rreth 25 milionë euro.