Dhuna transferohet te femrat!

Duket sikur femrat kanë marrë mësim nga meshkujt. Dhuna në sportin kosovar ka ndërruar gjini. Në fakt, brenda më pak se një jave, dy ndeshje janë ndërprerë në sportin e femrave, njëra në basketboll dhe tjetra në futboll.

Ditë më parë, ndeshja e basketbollit ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës ishte ndërprerë pasi basketbollistet e të dyja klubeve ishin rrahur në mes vete. Dhe, pa kaluar mirë një javë, përleshjet tek femrat janë përsëritur, duke ndërruar vetëm sport – në futboll.

Në fakt, ballafaqimi i së martës ndërmjet Mitrovicës dhe Kosovës së Prishtinës, derisa vendëset po fitonin bindshëm 8:0, u ndërpre në pjesën e dytë. Shkak i ndërprerjes ishte përleshja e futbollisteve në fushë. Jo vetëm kaq.

Një zyrtar i Mitrovicës e sulmoi edhe gjyqtarin Mervan Bejtullahu, i cili me këtë rast vendosi ta ndërpriste ndeshjen. “Njëri nga personat përgjegjës të skuadrës së Mitrovicës hyri në fushë dhe e sulmoi gjyqtarin Bejtullahu. Më pas ai e ndërpreu takimin”, tregon Haki Bllacaku, trajner i femrave të Kosovës.

Në anën tjetër, Hajrullah Haxhiu, përfaqësues i Mitrovicës, i akuzuar për sulm ndaj gjyqtarit, zotohet se nuk e bëri një gjë të tillë. “Nuk është e vërtetë se e kam sulmuar, ka pasur vetëm shtyrje. Ne ishim duke fituar 8:0. Lojtaret e Kosovës luanin shumë ashpër. Ne u munduam vetëm t’i ndanim lojtaret që po përlesheshin”, rrëfen Haxhiu.

Isufi: Duket se femrat kanë marrë mësim nga meshkujt

Trajneri i futbollit, Bekim Isufi, e konsideron mjaft shqetësuese dukurinë më të re, e cila u shfaq në sportin kosovar. Ai madje shton se sportistet femra duket se kanë marrë mësim nga meshkujt.

“Derisa tek meshkujt viteve të fundit ka përmirësime në këtë aspekt, pasi janë minimizuar përleshjet, kjo dukuri është shpeshtuar te femrat. Është diçka e papranueshme. Gjithçka ka të bëjë me kulturën. Sportistet që duan të merren me këtë lëmi duhet të arsimohen dhe të kulturohen qysh kur janë më të reja”, thotë Isufi për “Zërin”.

“Një gjë e tillë nuk ndodh në Evropë, është mjaft shqetësuese. Ndoshta sportistet femra kanë marrë mësim nga meshkujt, duke e vazhduar këtë dukuri negative”, vazhdoi ai.

Nixha: Këto raste, mjaft shqetësuese

Jeton Nixha, trajner i basketbollit, gjithashtu e sheh këtë si një dukuri të vrazhdë. Rivaliteti ndërmjet klubeve, mendon ai, çon deri tek incidentet. Megjithatë, ai shpreson që ky “trend” të ndalet me kaq.

“Sigurisht se janë shqetësuese këto raste, çdo dhunë që ndodh është për t’u shqetësuar. Kjo ndodh për shkak të rivalitetit dhe me këtë rast nxehen gjakrat. Sa i përket basketbollit, them se rivaliteti ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës është i kamotshëm. Përleshjet ndërmjet femrave janë paksa më të pazakonta, por shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten”, deklaroi Nixha.

Dhuna ka qenë evidente “non-stop” në sportin kosovar, gjithnjë në sportin e meshkujve. Mirëpo, kjo “sindromë” së fundmi ka kaluar te femrat, të cilat nuk i kursyen ndaj njëra-tjetrës shqelmat, grushtet e as shpullat.