“Dhjetëshja” e Kosovës dikur merrej me vallëzimin hip-hop

Me potencial dhe me një të ardhme të ndritur e ka cilësuar përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, mesfushoren e Zuerichut të Zvicrës, Argnesa Rexhepi.

Fazlija ia dha mundësinë Rexhepit të luaj nga fillimi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për kampionatin evropian “Euro 2022”, kundër Rusisë dhe superfuqisë botërore, Holandës. Në të dyja ndeshjet Argnesa mbajti numrin dhjetë në fanellë, numër ky i lakmuar në futboll. Te Zuerichu luan me fanellën me numrin nëntë, që po ashtu vlerësohet shumë. Para saj te Kosova numrin dhjetë e ka mbajtur Valentina Limani, që ka njoftuar se ka varur “këpucët në gozhdë”.

Paraqitjet me Kosovën, Argnesa Rexhepi i cilëson si ngritje të madhe në karrierë, ndërsa para se të merrej me futboll zbulon se është marrë me vallëzim hip-hop.

“Para se të merresha me futboll kam qenë në një grup kërcimi për katër vjet. Ka qenë grup i kërcimit hip-hop. Për dy vjet paralel kam pasur ushtrime në kërcim dhe futboll. Kërcimin e lash dhe zgjodha futbollin sepse nuk mund t’i arrija të dyja”, tregoi Rexhepi të martën në një intervistë për KOHËN.

Rexhepi ishte ftuar për një ndeshje edhe te U-19 e Kosovës.

“Momenti më i mirë në karrierë ka qenë kur pranova ftesë nga ekipi i parë i Kosovës. Gani Musliu, që jeton në Zuerich, ka marrëdhënie të mira me Federatën. Ai ka ardhur rregullisht të më shikoj në ndeshje dhe ka folur mirë për mua. Pastaj më kanë thirrur të luaj për Kosovën. Jam gëzuar shumë por ftesa ka ardhur pak si papritur. Nuk e kam pritur, aq më tepër për shkak të virusit nuk më ka shkuar mendja që bëhet tash diçka. Krejt familja janë krenar me mua e po ashtu edhe unë me ata, sepse falë tyre jam këtu ku jam”, është shprehur Rexhepi.

Rexhepi pret që edhe në të ardhmen të ftohet nga Kosova. Se ka të ardhme te Kosova e thotë edhe përzgjedhësja Fazlija.
“Bëhet fjalë për një lojtare të re me potencial dhe predispozita të mëdha. Është një vajzë e sinqertë dhe tepër korrekte. Shumë shpejtë është inkuadruar në ekipin tonë dhe mendoj që nëse vazhdon kështu me këtë ritëm të punës, do të jetë pjesë standarde e përfaqësueses”, ka theksuar Fazlija.

Rexhepi 20-vjeçare me futboll ka nisur të merret që nga viti 2010. Fillimisht ishte pjesë e një klubi të vogël në Zvicër, Stafa, ku luajti për pesë vjet, ndërsa që prej vitit 2015 është pjesë e skuadrës së Zuerichut.

“Futbollin e kam pasur gjithnjë në qejf, sepse edhe vëllai im luan. E kam nisur pa e menduar të arrij diçka, por pastaj më mori Zuerichu. Në vitin 2018 ka nisur zhvillimi im. Vëllai luan tash në FC Rapperswil, derisa më herët edhe ai ka qenë te të rinjtë e Zuerichut”, ka thënë Rexhepi.

Por, Argnesa ka plane edhe më të mëdha.

“Futbolli i femrave në Zvicër është profesional, por nuk paguhet, ndërsa tani po shikoj ndonjë opsion tjetër. Kam ofertë në Gjermani nga klube elitare, por edhe në Itali kam dëshirë të luaj”, është shprehur futbollistja e lindur në Zvicër.

Në Zvicër, Rexhepi ka kryer edhe shkollim për administratë. Punon për një firmë të kozmetikës.

“Punoj në atë firmë, por kam pasur ftesa edhe për reklama. Para tri vitesh kam bërë edhe një reklamë të një fitnesi, por fokusi im është 100 % në futboll edhe pse këtu në Zvicër nuk paguhet dhe femrat thuajse të gjitha punojnë”.

Rexhepi thotë se gjatë karrierës ka pasur edhe sfida. Në një moment ishte gati të tërhiqej, të dorëzohej.

“Në vitin 2017 jam operuar në Gjilan. Jam frikësuar të operohem në Kosovë, por e kisha të detyrueshme, sepse qëllova në Kosovë. Mjekët me patën thënë se mund të filloj stërvitjet pas dy muajve, por zgjati plot 11 muaj pa luajtur. Kam pasur shumë probleme dhe në vitin 2018 e kam pasur një trajner shumë të keq, ai më ka shkatërruar mentalisht. Fliste keq për mua dhe nuk më ka dhënë hapësirë të luaj”, ka thënë Rexhepi. “Unë e kam ditur që kam talent dhe se di të luaj më mirë se të tjerat, por ai trajner nuk më donte dhe ma bënte për inat. Ka qenë trajner kroat”.

Ajo insiston se viti 2017 dhe 2018 janë vitet më të këqija në karrierë.

“Shumë vështirë ka qenë për mua. Më humbi vetëbesimi, por babi dhe vëllai më kanë folur shumë dhe ma kanë kthyer mendjen sërish. Me kohë u bë mirë dhe tani jam shumë e lumtur me të arriturat e mia”, ka thënë Rexhepi.