Dëshira e Besart Berishës

Sulmuesi kosovar, Besart Berisha, është optimist se mund ta fitojë titullin e tretë të kampionit në A-League, njoftojnë mediumet australiane.

Skuadra e Berishës, Melbourne Victory, në finalen e madhe të A-League, do të luajë kundër Sydneyt. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën në Melbourne.

Për Berishën ky është viti i katërt në futbollin australian, kurse deri më tash ka fituar dy tituj me skuadrën Brisbane Roar. Ai para fillimit të këtij edicioni u transferua te Melbourne Victory dhe po shihet si rreziku kryesor në finalen e madhe për skuadrën e Sydneyt.

“Më pëlqen të luaj në finalet e mëdha. Gjithmonë kam pasur sukses dhe besoj se edhe kësaj here nuk do të mungojë suksesi”, ka thënë Berisha 29-vjeçar, i cili në dy finale të mëdha ka realizuar tri gola.

“Kjo është një ndeshje speciale dhe për këtë arsye duhet të japim gjithçka nga vetja për të fituar. Momentet e tilla janë të rralla dhe duhet të shfrytëzohen”.

Berisha këtë edicion ka realizuar 14 gola në 27 ndeshje të zhvilluara dhe ka shpërndarë pesë asistime.