Derbit e Anamoravës (FOTO)

Në edicionin 2017/18, Vala Superligës së Kosovës në futboll, do t’i shtohet edhe një skuadër simpatike e cila me lojëra të bukura dhe me karakter fituesi, u inkuadrua me plot meritë në Superligë,  ku në ndeshjen e barazhit mposhti Klubin e Ferizajt me një lojë të bukur e me shumë raste shënimi nga të dyja anët, ku fati i tyre u përcaktua nga goditjet e penalltive. 

Është klubi nga fshati i Pozhoranit, komunës së Vitisë, e cila bëri histori, ku pas dyzet e katër viteve arriti të jetë pjesë e elitës së futbollit të Kosovës, e ajo është KF ‘Vllaznia’. Tani anamoravës iu shtua edhe një skuadër që do ta bëjë një rivalitet, apo një miniderbi kur do të përballet me Gjilanin dhe Dritën.

derbi drita gjilani

 

Trajneri dhe pjesa dërmuese e futbollistëve të Vllaznisë janë nga Gjilani, ku në të kaluarën këta futbollistë kanë mbrojtur ngjyrat e Gjilanit dhe Dritës, dhe tani përballjet e ndërsjellta do të zgjojnë interesim të madh tek dashamirët e futbollit në këtë anë, dhe cila nga këto tri skuadra do të paraqitet më mirë në stinorin e ri, mbetet të shihet. Derisa në Superligë do të kemi tri ekipe nga Anamorava, KF ‘Gjilani’, KF ‘Drita’, e KF ‘Vllaznia’, asaj iu shtuan edhe dy ekipe tjera të cilat do të garojnë në ligën e parë.

KF ‘Bashkimi’ nga fshatit Koretin, komuna e Kamenicës, dhe KF ‘Kika’, nga fshati Hogosht, po ashtu nga komuna e Kamenicës, që u inkuadruan në ligën e parë në këtë stinor nga liga e dytë. KF ‘Kika’, në të kaluarën ka qenë pjesë e elitës Kosovare dhe pjesë e saj kanë qenë emra të njohur të futbollit.

Tani edhe liga e parë do të jetë tejet interesante me ekipet nga Anamorava ku përballjet ndërmjet KF ‘Bashkimit’, KF ‘Kikës’ dhe KF ‘Vitisë’, kjo e fundit e cila ka qenë në këtë rang të garave disa vite rresht, do të shfaqin interesim dhe përballje me rivalitet të madh nga kjo pjesë e Kosovës, ku do të shohim se cila nga këto do të paraqitet më mirë e më lart në renditjen tabelare. Dalëngadalë qyteti i Gjilanit dhe e tërë pjesa lindore e Kosovës, po dëshmohet si vendi i futbollit të Kosovës me pjesëmarrjen në numër të mjaftueshme të ekipeve në Vala Superligë dhe në Ligën e parë, dhe jo rastësisht derbi i qytetit gjilanas, Gjilani e Drita, cilësohet si derbi më i madh në Kosovë dhe rajon!

Shpresoj që këto ekipe të sjellin futboll cilësor, shikueshmëri në numër më të madh, rivalitet, kulturë e sjellje sportive, dhe gjithashtu shpresoj të mbesin sa më gjatë pjesë e elitës së futbollit të Kosovës!

Shkroi: Genc Sermaxhaj

Autori është ish-futbollist i mirënjohur dhe trajner i shkollës së futbollit ‘78’ nga Gjilani.