Derbi me Gjilanin, Vavalis dhe Blerim Krasniqi flasin para përballjes me rivalin lokal

Nesër do të zhvillohet ndeshja mes Dritës e cila është ‘nikoqire’ e Gjilanit, në kuadër të xhiros së tetë të Albi Mall Superligës me fillim nga ora 15:00.

Rivalët e qytetit do të takohen në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, dhe të pranishëm do të jenë vetëm tifozët vendas “Intelektualët”.

Në prag të ndeshjes për përgatitjet dhe pritshmëritë në konferencë për media foli kryetrajneri, Akis Vavalis dhe futbollisti, Blerim Krasniqi.

Sipas trajnerit Valvalis, të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e ndeshjes dhe nesër duhet të japin angazhim maksimal për fitore duke shpresuar që nuk do të ketë lëndime ose mungesa të lojtarëve.

“Po e mbyllim një javë garuese në derbi ndaj SC Gjilani. Jemi pas dy fitoreve, por nesër kemi një ndeshje të vështirë kundër SC Gjilanit, sepse në derbi nuk merren parasysh as përgatitjet fizike apo taktike.
Në ndeshje të tilla nuk duhet shumë përgatitje, por të japësh 100 apo 200% edhe pse kundërshtari ka pas një ditë më shumë pushim, por unë kam besim te djemtë. Kundërshtari ka bërë ndryshime dhe prurje të reja, por unë jam shumë optimist për nesër sepse të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë dhe do të japin maksimumin”, theksoi Vavalis.
Për trajnerin e Dritës në këtë ndeshje është e rëndësishme përkrahja e tifozëve dhe fitorja do t’u takojë atyre.
“Edhe pse ndeshja e nesërme do të luhet në një teren neutral, shpresoj shumë edhe në përkrahjen e tifozëve si na kanë mbështetur gjithmonë, sepse këto ndeshje luhen edhe për tifozë dhe sigurisht që edhe fitorja do t’u takojë atyre”, ka përfunduar Vavalis.
Kurse, sulmuesi Blerim Krasniqi premtoi se do të japin maksimumin dhe shpreson që nesër të marrin fitore pasi që dy ekipet do të “luftojnë” për pikë.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne sikur gjitha ndeshjet e tjera. Duhet të marrim maksimumin nga derbi. Derbi është një ndeshje që luftohet nga të dyja ekipet, do të japim gjithçka në fushë, të bëjmë maksimumin dhe t’i marrim tri pikë”, ka thënë Krasniqi.

Postimi i plotë i FC Dritës:

Alirifa: Malisheva do të rikthehet fuqishëm me këtë fitore

Kosova u17 është grumbulluar për ndeshjet kualifikuese evropiane