Besa nuk mbijetoi në Ligën e Parë, deputeti Agusholli: Komuna e Pejës duhet të turpërohet nga kjo gjendje

Skuadra e njohur kosovare e futbollit, Besa, tashmë nuk ka arritur të mbijetojë as në Ligën e Parë të Kosovës. 

Një vit pas rënies nga elita e futbollit kosovar, pejanët bien në Ligën e Dytë, shkruan Gazeta Olle.

Për gjendjen e rëndë që po kalon klubi me nam, ka shkruar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.

Agusholli, i cili vjen nga qyteti i Pejës ka thënë se Komuna e Pejës duhet të turpërohet nga kjo gjendje, sepse ky ekip është trashëgimia e qytetit dhe historia e sportit pejan.

Postim i plotë i Agushollit: 

Sfidat dhe traumën e pasluftës në qytetin e Pejës, i zbuste askush më mirë se sporti. Peja e Dukagjini në njerën anë në basketboll, e Besa në futboll, jehonin me brohoritje, garë e disponim gjatë vikendeve.

Stadiumi “Shahin Haxhiislami”, me yjet si Haxhi Zeka, Ilir Nallbani, Fitim Kasapi, Valmir Bytyqi, Fisnik Papuqi, etj, e bënë historinë e klubit, duke e mbajtur trofeun për tri vite radhazi.

Besa, sot, jo vetëm që nuk është pjesë e futbollit elitar në Kosovë, po ka rënë edhe nga Liga e Parë. Komuna e Pejës duhet të turpërohet nga kjo gjendje, sepse ky ekip është trashëgimia e qytetit dhe historia e sportit pejan.

Ps.
Video nga arkivi i vitit 2007, kur Besa shpallet Kampion pasi e përmbys rezultatin me Prishtinën.

/Gazeta Olle/ 

Trajneri Abdulah Ibrakoviq largohet nga Prishtina?

Ekskluzive: Arbnor Morina flet për inkuadrimin e Ferizajit në Superligë