Dënohen gjyqtari e vëzhguesi!

Gjyqtari i ndeshjes së DigitAlb Kupës, Flamurtari – Drita, Tefik Maloku, është dënuar nga Komisioni Disiplinor i FFK-së, pas inicimit të procedurës disiplinore nga Komisari i Garave.

Shkak për këtë, sipas njoftimit, janë bërë lëshimet në referim, moskryerje e punës në mënyrë profesionale (mos aplikimi i rregullave të lojës).

Arsyeja kryesore kishte të bënte me mosndëshkimin me karton të kuq ndaj Armend Kastratit të Dritës, në momentin kur ai shqelmon një kundërshtar.

“PEZULLOHET, pa të drejtë referimi për të gjitha ndeshjet zyrtare të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës deri në vendimin përfundimtar të Komisionit disiplinor. Kërkohet deklarata plotësuese e gjyqtarit të pezulluar Tefik Maloku, datë 30.03.2015 (Rregullorja disiplinore neni 31)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndërkohë, hiq më mirë nuk kaloi as vëzhguesi i këtij takimi, Gani Dautaj. Ai ishte në procedurë, pasi ai në mënyrë jo profesionale kreu detyrën gjatë vëzhgimit të ndeshjes, Flamurtari – Drita.