Dellova: Është e rëndësishme të jap maksimumin për Prishtinën, por dhe për veten time

Nesër me ndeshjen e javës së 13-të, Prishtina – Trepça ’89, vazhdon pjesa e mbetur e stinorit vjeshtor. Dy rivalët e moçëm ndeshen për herë të dytë në këtë edicion, kurse duelin e parë në Mitrovicë kishin fituar skuadra e “minatorëve” 1:0.

Prishtina i hyn takimit pas barazimit me Dritën në Gjilan 0:0, kurse Trepça ’89 pas humbjes së thellë me Llapin, 5:0.

Prishtinën vetëm fitorja do ta mbante ne pjesën e epërme të tabelës duke ruajtur distancën me skuadrat e kreut.

Përndryshe mungesa të konfirmuara në ndeshje do të jenë përshkak lëndimit, sulmuesi Shillova dhe i rikthyeri në seancat stërvitore, Muça.

Para ndeshjes për uebfaqen zyrtare të klubit është prononcuar mbrojtësi, Lumbardh Dellova.

“Kemi punuar besoj mjaftë mirë gjatë kësaj pauze dhe konsiderojë që jemi të gatshëm për të dhënë maksimumin që t’i marrim tre pikët. E vërtet pata paraqitje mjaft të mirë me Dritën, megjithëse nuk fituam edhe pse e meritonim, do të bëjë që të vazhdojë këtë formë që kam që t’i ndihmoj skuadrës të arrijmë deri te fitorja për të cilën besojmë fuqishëm”.

“Të them të drejtën çdo lojtar i ri kur ndërron mjedis është pak i rezervuar dhe nuk e kam pritur që bashkëlojtarët do të më presin kaq mirë duke filluar nga stërvitja e parë. Ndërsa, me punë dhe angazhim besoj të vazhdojë kështu deri në fund të kampionatit atëherë edhe kur të më skadojë huazimi nga Hajduku për çka të iu them të drejtën ende nuk kam menduar se çka pastaj, por e rëndësishme është për mua të jap maksimumin, t’i ndihmoj Prishtinës, por paraqitje të mira edhe vetës sime” – përfundoi futbollisti.