De Biasi ‘zbulon’ formacionin anti-Danimarkë

Në një intervistë të dhënë për TV Klan, trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka folur për ndeshjen e radhës me Danimarkën.

“Do të luajmë që në shtator me dy kundërshtarë tepër të fortë, që do të na e vështirësojnë punën. Në atë moment kampionatet janë në fillimin e tyre dhe do të afrohen natyrisht ata lojtarë, të cilët janë më në formë. Do të jetë një formacion i thuajse i ngjashëm me atë që patëm në takimin me Armeninë, duke përjashtuar të dëmtuarit e mundshëm, natyrisht Mavrajn” – ka thënë De Biazi.

Tekniku italian ka foluar gjithashtu dhe për vendimin e ndeshjes “Serbi – Shqipëri”…

“Vendimi për ndeshjen me Serbinë është shtyrë disa herë dhe nuk di nëse kjo është diçka e mirë ose jo. Nuk dua të flas me shumë, pasi mund të zhgënjehemi në fund, por verdikti i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv është i rëndësishëm për të ardhmen e Kombëtares” – ka sqaruar trajneri i Kuqezinjve.

Loja e Kuqezinjve është rritur në nivel me kalimin e viteve dhe kjo ka bërë që në shortin e kualfikueseve të Kupës së Botës 2018, të jetë në vazon e tretë. De Biazi shpreson në një grup të favorshëm.

“Tani ndodhemi në vazon e tretë dhe kemi shansin që të kemi kundërshtarë më të dobët, por nuk i dihet fatit të goglave. Unë dua të shmang ekipet që renditet të parat e renditjes si Gjermania apo Belgjika dhe të kemi përballë skuadra që janë më të arritshme për ne” – ka deklaruar De Biazi për Klan, raporton Panorama Sport.

Gianni De Biasi komenton edhe paraqitjen e parë të ekipeve shqiptare në Europë. Ai e ndoqi në stadium takimin mes Kukësit dhe Torpedo Zhodino.

“Rezultati i Laçit nuk më pëlqeu, pasi ka treguar një lojë të mirë gjatë sezonit. Kukësin e ndoqa në stadium. Mendoj se mund të kishte arritur një fitore më të thellë që do t’i siguronte kualifikimin. Më vjen keq për Partizanin, por ka mundësi që ta kthejë rezultatin në Tiranë, megjithatë kjo varet edhe nga gjendja e futbollistëve. Skënderbeu është një garanci, pasi ka rreth 5 vite që fiton dhe është një realitet që mund të çojë një ekip shqiptar që të shkojë në fazën e grupeve” – ka vlerësuar parqitjen e skuadrave, 59-vjeçari i stolit të Shqipërisë.

Veç skuadrave shqiptare, ai është i vëmendshëm edhe ndaj zhvillimeve të tjera në vend, veçanërisht pasi ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Por shpreh keqardhje që nuk pati mundësi të votojë në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Nuk votova, pasi nuk e kisha emrin në listë, koha ishte e pamjaftueshme për t’u përfshirë, pasi kisha pak kohë që isha nënshtetas shqiptar. Herën tjetër ndoshta mund të votoj” – ka komentuar me humor trajneri, i cili ka gati 4 vjet që punon në Shqipëri.

Ndoshta Xhani De Biazi do të jetë trajneri i Kombëtares edhe pas Euro 2016, por e ardhmja e tij do të varet edhe nga objektivi i kualifikimit në këtë aktivitet.