De Biasi pret festë (VIDEO)

Në prag të ndeshjes kundër Armenisë, ndër më të rëndësishmet e grupit eliminator të Shqipërisë për “Euro 2016”, kur kanë mbetur më pak se shtatë ditë, trajneri Gianni De Biasi, në një konferencë për shtyp, ka bërë një përmbledhje të situatës përpara kësaj ndeshjeje, duke frenuar disi euforinë, e cila këtë herë vjen në sajë të emrit jo të madh të kundërshtarit të radhës.

“Për ndeshjen e radhës kemi një kundërshtar shumë të vështirë dhe gjatë kësaj periudhe që kemi qenë pushim kam kuptuar se ne nuk po e kuptojmë se me kë po përballemi”.

“Më takojnë njerëz në rrugë e më thonë ‘vetëm fitore’ me Armeninë. Por, për ta fituar një ndeshje nuk është e lehtë, kërkohet një përgatitje maksimale. Vërtet që kundërshtari ynë në tri ndeshjet eliminatore ka humbur dy dhe ka barazuar një.  Ata luajnë shumë mirë si skuadër dhe ne nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë detaj në këtë ndeshje, pasi në fund të 90 minutave detajet vendosin”.

“Nga ana tjetër, edhe ne kemi bërë gjëra shumë të mira deri tani, por asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur. Autoriteti, bindja dhe mentaliteti që kemi krijuar deri tani, na ka ndihmuar shumë, por nuk duhet të mendojmë se jemi bërë skuadër e mirë. Ne duhet të tregohemi të aftë të kuptojmë se cilat janë limitet tona”, ka deklaruar përzgjedhësi i kuqezinjve, transmeton Top Channel.

Trajneri italian ka edhe një këshillë për shqiptarët: “Nuk më pëlqen fakti që ju gjithmonë këndoni përpara se të fillojë festa. Mundohuni të jeni të qetë, filloni shkëlqeni instrumentet, rregulloni zërin për momentin e duhur, këto lloj euforish shqiptare nuk më pëlqejnë”.