De Biasi për grekët: Krenar me pasaportën shqiptare

Gianni De Biazi drejton Shqipërinë që prej dhjetorit 2012. Atë që nuk e arritën paraardhësit e tij, Dosena, Brigel, Bariç, Han dhe Kuzhe, mund ta arrijë ish-trajneri i Udineses në krye të kuqezinjve. 

Në një intervistë për të përditshmen greke “Gazzetta.gr”, ai rrëfen planet që ka për të ardhmen dhe se si e ka transformuar Shqipërinë në një skuadër fituese.

Falë rezultateve që Shqipëria ka marrë në këtë fushatë kualifikuese, mund të shpresojë që të sigurojë një biletë në finalet e Europianit të Francës më 2016.

57-vjeçari po përpiqet që të shkruajë një faqe të ndritur të Shqipërisë, por është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Puna e parë dhe më e vështirë thotë se ishte që të ndryshonte mentalitetin e një skuadre që haste vështirësi në konceptin për ta fituar një ndeshje.