De Biasi: Meha, Berisha, Basha, Roshi, Gashi, Çani…

Mister, e patë golin e Mehës? Mos ishte sinjal për ju?

(Qesh…) Po, e pashë! Jo vetëm golin, por e ndoqa të gjithë ndeshjen. E kam parë edhe ndeshjen ndaj Kolnit. Ai vjen pas një dëmtimi të rëndë dhe po gjen kondicionin e duhur fizik.

Forma e mirë që po kalojnë lojtarët e kombëtares, duket se e vështirëson punën tuaj për përzgjedhjen e formacionit?

E vështirëson shumë… Lojtarët janë duke gjetur minuta të konsiderueshme me skuadrat e tyre dhe kjo gjë na shërben. Duhet që secili prej tyre të ketë sa më shumë minuta dhe ndeshje sa më të mira me ekipet ku janë në kampionatet e tyre.

A do të ketë vend për të gjithë në ekip?

Kombëtarja ka pasur vend për këdo që ka kaluar një formë të mirë. Do të gjendet një vend edhe këtë herë.

Merkato e transferimeve ka sjellë lëvizje për disa nga futbollistët e kombëtares dhe që aspirojnë të jenë në kombëtare…

Çdo lëvizje dhe transferim, është një mundësi që futbollisti të marrë eksperiencë. Megjithatë, çdo lojtar duhet të meritojë minuta në ekipin që transferohet, pasi kjo është vlerë për çdo futbollist.

Çani është transferuar te një ekip si Leeds. Komenti juaj?

Leeds është Leeds, por nëse Çani nuk luan asnjëherë kjo nuk ka aspak rëndësi për të. Megjithatë, unë mendoj që ai do të gjejë hapësira në atë skuadër dhe nëse do të ndodhë kjo gjë, atëherë do të jetë shumë mirë për të.

Gashi ka kaluar një formë të mirë kohët e fundit. Do të jetë pjesë e kombëtares në vazhdimësi?

Patjetër që po! Çdokush që ka formë të mirë do të jetë në ekip.

Në cilin pozicion mund të luajë?

Aty ku do të vendos unë…

Unë e di që ju jeni trajneri, ndaj po e vijoj duke ju kërkuar një rol specifik të tij në modulin tonë të lojës?

Shumë e vërtetë, siç e thatë edhe ju, unë jam shefi dhe unë vendos (qesh…). Është ende shpejt për të folur për formacionin e një ndeshjeje që do të jetë pas më shumë se një muaji, aq më tepër që unë nuk kam dëshirë që të tregoj formacionin përpara ndeshjeve.

Roshi ka shënuar sërish dhe po aktivizohet edhe si sulmues i dytë…

Një javë më parë e kam ndjekur në stadium ndeshjen e tij, ndërsa sot me anë të televizionit. Roshi është duke punuar fort dhe është duke luajtur në të njëjtin pozicion që luan edhe në kombëtare. Kjo është mirë për të dhe për ekipin, pasi formën që ai gjen me skuadrën, mund ta përshtatë edhe në ekipin kombëtar me lehtësi.

Salihi është dëmtuar dhe në fillim u tha se mund të ketë dëmtime të brinjëve?

Është e vërtetë që është dëmtuar, por duhet pritur dita e nesërme (sot) për të mësuar gjendjen e tij reale. Në dijeninë time nuk i ka thyer brinjët, siç u raportua në medie në momentin e dëmtimit të tij dhe kjo është diçka pozitive. I uroj shërim të shpejtë dhe shpresoj që të mos ketë asgjë të rëndë dhe të jetë sa më shpejt i gatshëm për të luajtur.

Berisha dhe Hysaj kanë bërë paraqitje shumë të mira sot (dje)…

Më vjen mirë për çdo minutë që luajnë lojtarët dhe aq më shumë kur paraqitjet e tyre janë të mira. Hysaj vijon që të bëjë paraqitje shumë të mira dhe ai po fiton shumë eksperiencë në Serinë A. Është e mrekullueshme që Etriti nuk ka pësuar gol gjatë gjithë ndeshjes.

Kaçe po bën disa ndeshje me minutash thuajse të plotë, ndërkohë që në kombëtare nuk ka shumë hapësirë…

Është një përgjigje që kam përshtypjen se e dini. E theksoj që për ekipin tonë është shkëlqyeshëm që çdo lojtar të ketë sa më shumë minuta me skuadrën e tij. Kaçe dhe çdo lojtar është nën vëzhgimin tonë dhe po ndjekim me vëmendje formën e të gjithë lojtarëve.

Basha e ka lënë pas dëmtimin e rëndë që pati. Mbetet ende në planet tuaja?

Më vjen mirë që ai e kaloi atë dëmtim dhe patjetër që mbetet në planet tona. Por, nëse ai nuk luan…

Mendoni se Armenia është duke na gjetur në formën më të mirë?

Shpresoj që ndeshja të na gjejë me lojtarët në formën e tyre më të mirë. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se kush është skuadra kundërshtare dhe lojtarët që ka në përbërje. Megjithatë, ka kohë për të folur më qartë për të, kur të afrohet edhe ndeshja.

A duhet ta mendojmë të humbur betejën me UEFA-n?

Absolutisht që jo. Unë vazhdoj të ritheksoj se është beteja jonë për të gjetur drejtësinë. Është një betejë të cilës po i shkojmë deri në fund dhe shpresoj që të marrim atë që meritojmë. (sporti shqiptar)