De Biasi: Duam vetëm fitore

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi ka dalë sot në koferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Armeninë që do të luhet në 29 mars dhe është e vlefshem për eleminatoret e europianit “Francë 2016”.

Tekniku Italian ka shpallur edhe listën e 28 futbollistët që ka grumbulluar për këtë përballje. Bie në sy ftesa për mbrojtësin e Baselit, Naser Alijin. Mbrojtësi luan si i huazuar te Vaduzi dhe ka marrë për herë të parë ftesën nga Kombëtarja shqiptare.

Ndërkohë De Biazi rikthen në ekip edhe futbollistë si Meha, Basha, Sadiku të cilët kanë nuk kanë qenë të grumbulluar në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimesh. Gjithashtu rikthehet edhe Shkëlzen Gashi. Sulmuesi është duke kaluar një formë të shkëlqyer me Bazelin duke shënuar rregullisht për këtë ekip.

“Forca e Shqipërisë është grupi, prandaj të gjithë këta futbollistë ndodhen këtu. Kam ftuar ata lojtarë që po kalojnë një formë të mirë pasi i kam ndjekur me kujdes gjatë gjithë kësaj periudhe dhe mendoj se do të japin maksimumin edhe ndaj Armenisë.

Luajmë ndaj një kundërshtari aspak të lehtë dhe për ta kaluar me sukses duhet të mbështetemi te kualitetet tona si dhe të luajmë me zgjuarësi. Për formacionin do të vendos gjatë javës pasi të shoh nga afër kondicionin e lojtarëve. Vetëm fitorja do të më bënte të lumtur ndaj Armenisë, barazimi nuk na intereson dhe ne do të hyjmë në fushë vetëm për të marrë fitoren.

Dua të jemi me këmbë në tokë dhe të mos na kapë euforia. Nuk duhet të fillojmë festën përpara ndeshjes pasi nuk kemi arsye që ta bëjmë. Si fillim bëni gati veglat e muzikës, rregulloni fillimisht kordat dhe më pas mund të filloni festën”, deklaroi De Biasi.