Dardanet zotohen për angazhim maksimal dhe rezultat pozitiv

Para ndeshjes me Kombëtaren e Rusisë, në kuadër të ndeshjeve kualifikues për Euro 2021,  vashat e Kombëtares së Kosovës kanë mbajtur stërvitjen e fundit në Manavgat.

Në këtë seancë stërvitore përzgjedhësja Afërditë Fazlija dhe shtabi teknik provuan të gjitha skemat e mundshme të lojës, duke e njohur kundërshtarin nga ndeshja e parë.

Me këtë rast futbollistet punuan në lojën mbrojtëse por edhe kundërsulmet e mundshme.

Kryerja e gjuajtjeve të lira dhe ato nga këndi si dhe nga pika e bardhë ishin faza përmbyllëse e kësaj seance stërvitore.

Në radhët e Kombëtares tonë po vërehet një përkushtim i madh dhe një atmosferë e mirë që na jep shpresë për një paraqitje të mirë. Secila nga Dardanet shpreh zotimin e saj për angazhim maksimal.

Po ashtu sipas mjekut  dr. Enver Hoxha dhe ekipet të tij, gjendja shëndetësore e Dardaneve është e mirë.

Futbollistja Argnesa Rexhepi u shpreh optimiste para kësaj përballje: “Kemi gjasa të fitojmë sepse do të jetë krejt ndryshe nga ndeshja e parë me ruset. Kemi një grup të mirë dhe do të angazhohemi  maksimalisht për rezultat pozitiv”.