Dardanët U17 të gatshëm për ndeshjen me Ukrainën

Kombëtarja e Kosovës U17 (meshkujt), ka arritur në Siena të Italisë dhe është akomoduar në Hotel “Sheraton”, ku do të marrë pjesë në rrethin elitë të grupit të gjashtë për kualifikimet e Kampionatit evropian 2022, që mbahet në Izrael prej 16 majit deri më 1 qershor.

Dardanët e rinj mbajtën seancën e parë stërvitore para ndeshjes me Ukrainën, që zhvillohet më 20 prill në orën 12:00.

Përzgjedhësi Arsim Abazi dhe shtabi teknik provuan të gjitha taktikat dhe situatat e mundshme që nga mbrojtja, sulmi kundërsulmet e deri të gjuajtjet e lira dhe nga këndi, në mënyrë që të shënojnë rezultat pozitiv në ndeshjen të parë të këtij rrethi.

Të kujtojmë se Kombëtarja jonë U17, më 23 prill ballafaqohet me mikpritësin Italinë dhe në ndeshjen e fundit më 26 prill takohet me Poloninë.

Para ndeshjes së nesërme deklarua përzgjedhësi Arsim Abazi. 

“Gjendja e futbollistëve është e mirë, po shihet një atmosferë jashtëzakonisht e mirë. Një e mirë është se ekipi është i kompletuar dhe nuk kemi lëndime. Lojtarët janë të përgatitur shumë mirë. Prandaj, besoj se nëse angazhohemi maksimalisht në ballafaqim me Ukrainën, do të kemi rezultat të mirë. Ndeshjes do t’i qasemi me plotë seriozitet dhe synojmë fitore. Kështu do të vazhdojmë në çdo ndeshje për pikë maksimale sepse do të ishte historike për neve nëse arrijmë të kualifikohemi për Kampionatin Evropian 2022 që mbahet në Izrael. Ndaj do të japim gjithçka nga vetja për të arritur synimet tona”.

Para ndeshjes foli edhe kapiteni Igball Jashari.

“Jemi një grup i mirë i lojtarëve. Në Kombëtare po mbretëron atmosferë shumë e mirë dhe pres që unë dhe bashkëlojtarët e mi do të japim maksimumin për fitore kundër Ukrainës. Kemi punuar mirë dhe besoj se do t’i zbatojmë ashtu si duhet detyrat që do të na i japin trajnerët”.

Nga Mbappe te Modric, këta janë lojtarët që u mbaron kontrata këtë verë

Hendbollistet e reja e luajnë edhe ndeshjen e tretë në Kampionatin Mesdhetar