Dardanët lojtarëve: Grumbullimet nuk janë ekskursion, mos hyni në lojë me ego personale

Tifo-grupi ‘Dardanët’ kanë lëshuar një tjetër mesazh të fuqishëm për lojtarët e Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës pati një paraqitje të dobët ndaj Greqisë dhe kjo ka bërë që të ketë shumë reagime.

Lojtarët u kritikuan për mungesë angazhimi. Dardanët së fundmi kanë lëshuar një shkrim në ‘Facebook’ ku kërkojnë të luhet për Kosovën e jo për ego personale.

Po ashtu, bëhet thirrje që të kuptohet rëndësia e fanellës dhe të mos konsiderohet grumbullimi si një ekskursion.

Më poshtë ua përcjellim shkrimin e Dardanëve:

S‘ka kohë për t‘u mërzitur. Ka nevojë për rikthesë!

Të enjten, në një datë të shenjtë siç është ajo e 9 qershorit, ku përkujtojmë përvjetorin e vdekjes së njeriut simbol të futbollit tonë, Fadil Vokrrit, luajmë ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut mu në stadiumin që mban emrin e tij.

Gjenerata të tëra e kanë pasur ëndërr ta shohin topin të rrokulliset lirshëm për ta përfaqësuar vendin tonë. Një fat të tillë na ra hise ta shijojmë tek viteve të fundit.

Pesha e ndeshjeve të Kosovës ka kuptim më të gjerë sesa thjesht një lojë futbolli që zgjat 90 minuta.

Kosova duhet konceptuar si përgjegjësi e privilegj, jo përfitim e neglizhencë.

Koha e fundit t’i thërrasim mendjes dhe ndërgjegjës të gjithë, pa anashkaluar askënd, as tifozët, por në veçanti disa futbollistë. Pra, e përfshijmë edhe veten në vetëkritikë.

Grumbullimet e Kosovës nuk janë ekspeditë dhe eksksurzion, por një periudhë nga e cila kërkohet më shumë përkushtim e djersë sesa demagogji e arsyetime.

Dhe, po. Jemi duke punuar. Nuk na kanë demoralizuar rrethanat që u krijuan në ndeshjen e fund për ta lënë pas dore organizimin për ndeshjen që po vjen.

Për lojtarët një mesazh i vetëm: hyni në fushë për interesin e Kosovës, jo për ego personale.

Dashuri që nuk shterron është Kosova!

Bad News Eagles ftohen në turneun me vlerë 130.000 dollarë – REPUBLEAGUE S3

Blend Baftiu dhe Almir Ajzeraj, ribashkohen te skuadra e Dritës