Dardanët e kryejnë stërvitjen në “Batumi Arena”, Challandes e Rashani optimistë

Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme kundër Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror “Katari 2022”.

Dardanët në mbrëmjen e së mërkurës kanë stërvitur në stadiumin “Batumi Arena”, i cili do të inaugurohet zyrtarisht në ndeshjen e nesërme.

Gjatë seancës një orëshe të përzgjedhurit e Challandes janë ambientuar me fushën, por edhe me kushtet klimatike, të cilat janë dukshëm më të rënda se sa në Kosovë.

Para stërvitjes përzgjedhësi Challandes dhe futbollisti Elbasan Rashani janë paraqitur në konferencë për media, ku pati një interesim të madh nga gazetarët gjeorgjianë.

Që të dy shprehën optimizmin e tyre për rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme, e cila do t’u jepte mundësi Dardanëve për ta kthyer vetëbesimin.

“E kam parë ndeshjen e parë të Gjeorgjisë në këtë grup shumë të vështirë. Nuk do të jetë e lehtë as për Gjeorgjinë dhe as për Kosovën. Ne kemi filluar me dy humbje. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Është koha që të tregojmë diçka, ndoshta edhe të shpërthejmë, të luajmë një ndeshje shumë të mirë. Do të jetë e nevojshme që kjo të ndodhë kundër Gjeorgjisë, që mund të luajë futboll të mirë, të shpejtë, të luftojë po ashtu. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne edhe për të ardhmen, jo vetëm për këtë fazë”, ka thënë ndër të tjera Challandes.

Ndërkaq, Elbasan Rashani theksoi se synimet e Dardanëve në këtë duel janë të qarta.

“Kemi ardhur me një synim, për të marrë rezultat të mirë. Të gjithë në ekip e dimë se kjo na duhet. Mirëpo, për neve është shumë me rëndësi të kemi një paraqitje të mirë dhe rezultati të vijë në bazë të paraqitjes sonë. Personalisht jam në formë të mirë dhe jam gati që t’i ndihmoj ekipit”, ka thënë Rashani. Ndeshja Gjeorgji – Kosovë zhvillohet të enjten në orën 18:00, sipas kohës tonë, në stadiumin “Batumi Arena”, i cili për shkak të situatës së rënduar me koronavirus do të jetë i zbrazët.

Peja fiton klasiken ndaj Prishtinës, kalon në gjysmëfinale

Ronaldo tentoi ta godiste O’Shean – ky i fundit ia largoi topin nga pika e bardhë (Video)