Prishtina e Dukagjini nesër do të ndeshën ndërmjet vete në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë ku edhe e hapin javën e 14-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Pikët janë të rëndësishme për të dyja skuadrat, megjithatë edhe rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave duket bukur i madh.
Ish-futbollisti dhe trajneri i Prishtinës, tash në radhët e Dukagjinit, Armend Dallku në një bisedë për Demokracia.com ka folur për pritshmëritë që i ka në këtë takim, derisa ka thënë se në kryeqytet udhëtojnë për pikë maksimale.
Në anën tjetër Prishtina, në këtë takim hynë me disa risi. Në bankinë nuk do të jetë më trajneri Zekirija Ramadani, i cili zyrtarisht u shkarkua dje, derisa atë do të zëvendësoi trajneri boshnjak, Abdulah Ibrakoviq.
‘Udhëtojmë për rezultat maksimal’, ka thënë fillimisht Dallku duke shtuar se skuadra e di shumë mirë çfarë do dhe si duhet të luajë ndaj Prishtinës.
‘Për të bërë një ndeshje të mirë i kemi bërë të gjitha analizat, sidomos nga ndeshja e parë ku e kemi humbur ndeshjen nga disa moskujdesi tonat, gjithsesi edhe në atë takim kemi bërë paraqitje shumë të mirë’, ka përfunduar Dallku.
Ndeshja Prishtina – Dukagjini luhet nesër nga ora 13:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.