Dallku: E dinim se Malishevën duhej ta mposhtnim, kemi potencial dhe lojtarë të mirë

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka thënë pas ndeshjes se e vlerëson shumë shpirtin luftarak të ekipit. Dukagjini fitoi ndeshjen në udhëtim te Malisheva, 4:3, me rikthim të rezultatit.

“Bëmë dy gabime në dy raste për të cilat kishim kërkuar të jemi të kujdesshëm, sidomos në javët e fundit në pauzë. Malisheva e kemi ditur se ka lojtarë të shpejtë në vijën e fundit. Ishim të pavëmendshëm në ato raste. Në pjesën e dytë rregulluam disa gjëra dhe bëmë ndryshime dhe e dinim se Malishevën duhej ta mposhtnim. Ishim më lartë se ta. Veçoj shpirtin luftarak të ekipit që nuk u zmbraps për asnjë moment dhe e kërkoi fitoren, dhe ajo erdhi si rezultat i aksioneve që bëmë. Falënderoj edhe tifozët që ishin në mbështetje. Duhet të punojmë e t’i përmirësojmë gabimet për të ecur para, me dëshirën dhe vullnetin që kemi”, ka thënë Dallku që e nisi me fitore fazën e dytë të Superligës së Kosovës në futboll.

Ai tregoi edhe për vështirësitë me të cilat është përballur skuadra në fazën e parë të kampionatit.

“Kemi bërë analizë të thellë të fazës së parë ku kemi çaluar e kemi pranuar gola. Kemi bërë ndeshje të mëdha dhe kemi shkuar shumë herë në portën kundërshtare. Sot ndodhi e kundërta. Normalisht, presim që në çdo ndeshje ta bëjmë më të mirën, pavarësisht se kush luan në fushë. U them lojtarëve që secili duhet ta shfrytëzojë rastin. Ata që u futën në pjesën e dytë dhanë më të mirën. Në fund të fazës së dytë mendojmë se do të jemi lartë në tabelë, sepse kemi potencial dhe grup të mirë lojtarësh. Kemi pasur luhatje të suksesit sepse Evropa na ka sjellë një gjë të tillë. Kishim kampionat të ngarkuar e të vështirë, pastaj erdhën ndeshjet në Ligën e Konferencës dhe kemi pasur disbalanc në mes të përgatitjeve dhe fillimit të sezonit të ri”, ka thënë Dallku për “ArtMotion” pas ndeshjes.

Batatina: Kampion bëhesh kur i mposht skuadrat më poshtë në tabelë

Kosova me shumë fat në shortin e Kampionatit Ballkanik për të Rinjtë