Dajaku: Pres deri në verë, titulli është vendosur

Njëri prej mesfushorëve më kualitativ në Kosovë, Taulant Dajaku, në gjashtë muajt e fundit ka mbetur pa aktivizim, pasi shkëputi marrëveshjen me Drenicën, ndërsa nuk arriti të merret vesh me Prishtinën. “Të shohim se çka do të ndodh. Do të angazhohem kur të kem marrë një ofertë konkrete”, tha Dajaku për Gazetaolle.com.

Edhe pse pa skuadër, Dajaku është afër futbollit dhe sipas tij titulli i kampionit tashmë është vendosur. “Mendoj se kampionati tashmë është në duart e vet Feronikelit. Nëse do të arrijë të menaxhojë pesë ose gjashtë ndeshje, nga 11 të mbeturat, gjithçka do jetë e tyre, pasi që është e vështirë të shohësh pretendentë tjerë, pasi ata kanë arritur tetë ose nëntë fitore radhazi. Çështjen e titullit mendoj se Feronikeli e ka vet në dorë”, pohoi Dajaku, që më parë ka mbrojtur ngjyrat e Drenicës, 2 Korrikut, Prishtinës, Ferizajt dhe Trepçës ‘89.

Sipas tij, më interesant është për barazh, pasi shumë skuadra mund të ‘rrëshqasin’ poshtë. “Pjesa interesante për mendimin tim është pjesa e barazhit, ku sipas orarit që kanë ekipet e 7-shës së fundit, secila nga ato mund të rrëshqas poshtë. Mendoj se pjesa e largimit nga liga është më interesante tashmë, se sa fati i kampionatit e që mendoj se në dy xhirot e ardhshme nëse Feronikeli fiton, e fut në kasafortë atë”, përfundoi Dajaku.