Daja: Kjo është Kupa, nuk të lë të gabosh e ne gabuam

Ballkani është eliminuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës nga Prishtina. 

Ndeshja e zhviluar në Suharekë u mbyll 1-1 në kohë të rregullt, e më pas në vazhdime Prishtina realizoi golin e fitores, shkruan Gazeta Olle.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, i cili tha se Prishtina e meritoi fitoren, duke potencuar se Kupa nuk lejon gabime, por sipas tij ata gabuan dy herë.

“Nuk mund të them që Prishtina nuk e meriton sepse e fitoi ndeshjen. Filluam të reagonim kur pësuam golin e parë. Bëmë gabime që nuk duhej t’i bënim. Morëm karton të kuq në mes të fushës, pa nevojë për ndërhyrje. Kemi reaguar me gjithçka që kishim në dispozicion. Kjo është Kupa, nuk të lë të gabosh e ne gabuam. Sigurisht që ishim në një moment të mirë, e barazuam rezultatin. Po luanim në gjysmëfushën e Prishtinës.

As vet nuk e kuptova kartonin e kuq. Ai është djalë i ri, nuk e ka bërë me qëllim ndërhyrjen por na penalizoi me karton të kuq. Futbolli i njeh këto gjëra dhe tash pas eliminimit, do të përqendrohemi te kampionati. Do të na bënte mirë të ishim në garë për të dyja kupat, por tani kjo e keqe që na ndodhi sot, e ka të mirën sepse do të fokusohemi vetëm te kampionati”, u shpreh trajneri Ilir Daja pas ndeshjes.

/Gazeta Olle/

Ibrakoviq: Dy kartonët e kuq treguan sa shumë e kemi dashur fitoren

Finalja e Conference League në Tiranë, UEFA hap procesin e shitjes së biletave