Ilir Daja ka veshur dje pasdite uniformën blu dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në krye të Dinamos. Edhe pse nuk është bërë ende prezantimi zyrtar i tij, mund të themi se te 18 herë kampionët e Shqipërisë ka nisur epoka “Daja”.
Këtë herë trajneri kryeqytetas e ka gjetur skuadrën me një shtëpi të re në Arbanë. Pasi ka shkuar në kompleksin e bluve, ku të pranishëm ishin të gjithë drejtuesit e klubit, me presidentin Adrian Bardhi në krye, trajneri 57- vjeçar ka zbritur në fushë. Dhe para se të niste punën në terren, ai ka folur për rreth 10 minuta me grupin e futbollistëve. Ishte prezantimi i Dajës me skuadrën, ku ai rigjen disa lojtarë që i ka stërvitur më parë, siç janë Dita, Bregu, Hoxha dhe Meksi.
Kreu i ri i stolit kryeqytetas u ka bërë të qartë lojtarëve idetë e tij dhe më pas ka nisur menjëherë punën në fushë, duke e “shtrydhur” mirë skuadrën që në seancën e parë. Daja vjen te Dinamo bashkë me djalin e tij në staf, Glenin, ashtu si te Ballkani kohët e fundit, shkruan Panorama Sport.
Të dy kanë nisur “misionin” për përgatitjen e derbit me Partizanin, që është programuar të zhvillohet më 12 shtator. Një javë kohë për Dajën, i cili do të debutojë në stolin e Dinamos në një ndeshje specifike, në shtëpinë e Partizanit, tjetër skuadër që ai e ka drejtuar më parë.
EKIPI – Të pranishëm në stërvitjen e parë të trajnerit Ilir Daja ishin të gjithë futbollistët. Kanë zhvilluar seancën e parë me këtë skuadër afrimet e fundit të merkatos, Naser Aliji, Agron Rufati dhe Antonio Miço, të cilët e ndoqën nga tribuna ndeshjen e fundit me Elbasanin. Mbetet për t’u parë, nëse ndonjëri prej tyre mund të ingranohet me ekipin që në derbin me Partizanin mesjavën e ardhshme apo jo. Blutë kanë një mungesë të sigurt për javën e katërt, atë të mesfushorit Bakari Gudiabi, i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë kundër Elbasanit. Me shumë mundësi nuk do të jetë gati për të luajtur nga minuta e parë edhe mesfushori tjetër, Klevi Qefalija. Ai ka punuar veç grupit në seancën e djeshme, pasi vjen nga një dëmtim në kavilje, që i ka mohuar tri ndeshjet e para të kampionatit. Në derbi ndoshta mund të jetë në stol.