Curri i gatshëm t’i thotë ‘po’ Shkëndijës

Futbollisti kosovarë, Debatik Curri i cili njëherit është edhe pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit shumë shpejt pritet të jetë përforcimi i rradhës i Shkëndijës së Tetovës.

Qendërmbrojtësi kosovarë, i cili në sezonin e fundit u aktivizua në radhët e Tiranës është në bisedime me klubin tetovar për transferimin e tij në këtë skuadër në sezonin e ri.

Curri, i cili aktualisht është një lojtar i lirë pasi nuk ka rinovuar me “bardheblutë” e Tiranës duket se është dhe vetë i interesuar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Po është e vërtetë se kemi biseduar me drejtuesit e Shkëndijës, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete. Mirëpo nëse gjejmë një gjuhë të përbashkët, atëherë do vija me gjithë dëshirë te Shkëndija” – tha për infOSport, Debatik Curri.

Përveç Shkëndijës, interes për të kanë shfaqur edhe disa skuadra nga superliga e Shqipërisë, ndërsa nuk mungojnë edhe ofertat nga Evropa.

“Kam edhe disa oferta nga Shqipëria, ndërsa gjithashtu nuk mungojnë edhe nga Evropa. Megjithatë dëshira ime është që të luajë në Tetovë, të veshë fanellën “kuq e zi” të Shkëndijës. Për momentin them se nuk ka asgjë konkrete midis nesh, edhe pse kemi pasur kontaktet e para” – shtoi Curri, i cili bëri me dije se një gjë e tillë edhe definitivisht do të mësohet vetëm pas ndeshjes kthyese të Liga Europa që Shkëndija do ta zhvillojë të enjten kundër Aberdinit në Skoci.