Conte ‘tronditë’ italianët, ja çka mendon të bëjë

Momente vendimtare për të ardhmen e Antonio Contes në stolin e Italisë. Në një moment kur i duhet të përgatisë sfidën e Zagrebit kundër Kroacisë, trajneri i të kaltërve ndoshta duhet të luajë një tjetër ndeshje, atë në sallën e gjyqit për çështjen e trukimit të ndeshjeve.

Sipas mediave italiane, skenarët janë dy; arkivimi i çështjes ose shtyrja e gjykimit dhe në këtë mënyrë edhe pasojat do të jenë të ndryshme në të dyja rastet. Avokatët janë të bindur se nuk ka asnjë fakt për ndeshjet Novara-Siena e Albinoleffe-Siena dhe në këtë mënyrë, krimi i vetëm që rëndon mbi Conten është mosdenoncimi për të cilin trajneri i Italisë e ka vuajtur dënimin me pezullim.

Gjithsesi, situata mbetet e paqartë dhe kjo ka ndikuar në prishjen e humorit të Contes, i cili po mendon seriozisht largimin nga Kombëtarja e Italisë, madje edhe përpara ‘Euro 2016’.

Plaga që i ka shkaktuar sistemi gjyqësor nuk është shëruar ende dhe ai nuk ndihet i qetë për të drejtuar kombëtaren drejt një evenimenti të tillë. Rreziku që ai të udhëtojë drejt Francës me peshën e një procesi gjyqësor është ende i madh dhe në këtë mënyrë lamtumira nga stoli i kaltër është pothuajse e paevitueshme. 45-vjeçari e mori drejtimin e Italisë pas largimit të Cesare Prandellit. Italia bën pjesë në Grupin H të eliminatoreve ‘Euro 2016’ me 11 pikë, 2 më pak se kryesuesit e Kroacisë pas 5 ndeshjeve të para.