Çmime të pabesueshme për ‘ndeshjen e shekullit’

Ndeshja e shekullit po vjen dhe ju që doni ta shihni atë përmes ekranit në SHBA, duhet që të filloni të kurseni që tani. Meçi i shumëpritur ndërmjet Flloyd Maywether dhe Manny Pacquaio, pritet që t’i thyejë të gjitha rekordet e shikueshmërisë dhe të hyrave financiare në historinë e boksit.

Negociatat për të drejtat televizive nuk janë filluar ende, por sipas llogaritjeve, shikimi i ndeshjes me ‘Pay per view’ do të kushtojë 99 dollarë dhe në Standard Definition 89 dollarë.

Që të dy këto shifra përbëjnë rekord në vete, krahas shumë rekordeve tjera që do ta shoqërojnë këtë super-sfidë të yjeve të ringut botëror.

Vetëm shitjet nga “Pay per view” sigurojnë në total 300 milionë dollar, duke e kaluar kështu rekordin aktual prej 152 milionësh, ku protagonist ishte sërisht Maywether në ndeshjen me Saul Alvarez dy vite më parë.

Sfida që jo më kot është emërtuar si “ndeshja e shekullit” zhvillohet më 2 maj dhe numërimi së prapthi vetëm ka filluar. /Gazeta Olle