Çka thotë Edi Rama për stadiumin e ri?

Ndërsa ka qenë për fushatën e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, Kryeministri Edi Rama, nuk i ka shpëtuar festës që ka nisur në Korçë, për fitimin e titullit të 5-të të kampionit të Shqipërisë.

Madje, i shoqëruar nga kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryeministri Rama edhe ka darkuar me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj dhe trajnerin kryeqytetas të korçarëve, Mirel Josa.

Kryeministri Rama, duke folur për suksesin, trajnerin Josa dhe uruar Skënderbeun për titullin e kampionit, ndërmjet të tjerash ka bërë edhe një premtim “bombë” në mikrofonin e “Supersportit”.

“E di që Tirana ka nevojë për një stadium të ri kombëtar të parametrave ndërkombëtarë. Ne shumë shpejt do nisim të mendojmë dhe do të ndërtojmë një stadium të ri kombëtar modern për kryeqytetin”, ka thënë ndër të tjera, Kryeministri Rama.

Mesa duket, projekti për ndërtimin e një stadiumi kombëtar në Tiranë, mbi atë ekzistuesin “Qemal Stafa”, i cili prej disa vitesh fle nëpër sirtarët e FSHF-së për mungesë financash, sipas fjalëve të Kryeministrit Rama, shumë shpejt do të bëhet një realitet i prekshëm.

Pas “Elbasan Arenës”, rinstruksionit të “Loro Boriçit” në Shkodër, i cili pritet të përfundojë në muajin tetor, në Tiranë do të hidhen themelet e një stadiumi të ri kombëtar, “shtëpisë së kuqezinjve” të Shqipërisë.