Çka thotë Bylbyl Sokoli për Trepçën ’89 e Hajvalinë?

Trajneri Bylbyl Sokoli, të hënën në një bisedë për “Epokën e re” i ka mbajtur në ‘luftën’ e ngushtë për titull të kampionit, Hajvalinë dhe Trepçën ’89. Përveç këtyre dy skuadrave, ai ka thënë se në këtë garë janë edhe Feronikeli, Besa dhe skuadra e tij, Prishtina. “Po mendoj se Feronikeli, Besa, Prishtina, Hajvalia dhe Trepça ’89 mbesin kandidate për titull edhe më tutje. Është herët të zvogëlohet numri i skuadrave që luftojnë për titull”, ka thënë Bylbyl Sokoli.

Ndeshjen e radhës skuadra e trajnerit Bylbyl Sokoli e zhvillon ndaj Hajvalisë në Prishtinë. Ai ka parashikuar një ndeshje interesante për shikuesit. “Është derbi lokal dhe në kësi derbi është vështirë të parashikohet rezultati. Do të jetë një ndeshje e mirë për sy dhe interesante për shikuesit. Nuk mund ta planifikojmë rezultatin. Besoj se kemi forca të dëshmojmë se jemi me meritë në kreun e tabelës”, ka thënë Sokoli. I pyetur se a do të jetë Prishtina e kënaqur edhe me një barazim, Sokoli është përgjigjur: “Në asnjë ndeshje nuk shkojmë për barazim dhe nuk jam i kënaqur me një rezultat të tillë, pasi në çdo ndeshje kërkojmë fitore dhe çdo rezultat tjetër nuk na kënaq. Synimi ynë është të luftojmë për tri pikët, kurse të gjitha rezultatet në futboll janë të mundshme”, potencoi Bylbyl Sokoli.