Çka premton Argjend Mustafa me Laçin?

Ekipi i Laçit në të cilin aktivizohet mesfushori kosovar Argjend Mustafa, po shkëlqen në këtë edicion.

Pas javës së 28-të në Kategorinë Superiore Shqiptare, laçianët ndodhen në vendin e pestë me 50 pikë të tubuara, shtatë më pak se lideri Skënderbeu i Korçës. Laçi në ndeshjen e radhës sfidon Partizanin e Tiranës, ekip në të cilin është paraqitur Mustafa në stinorin e kaluar.

“Kemi bërë disa fitore radhazi, të cilat kanë qenë mjaft të vështira për t’u arritur. Por puna e palodhur që bëhet nga stafi, presidenca dhe ne si futbollistë është shpërblyer me këto rezultate fantastike, ky është sekreti ynë. Kam disa ndeshje që po aktivizohem nga trajneri dhe jam mjaft i lumtur, por ndeshje pas ndeshjeje do të mundohem që të jap më të mirën. Po luajmë disa ndeshje pa tifozë dhe për ne si futbollistë spektatorët janë një shtysë shumë e madhe për të ecur përpara. Uroj që ndaj Partizanit të jenë të shumtë në numër, pasi me ta ia dalim”, ka thënë Argjend Mustafa, ish-mesfushor i disa skuadrave kosovare, përcjellin mediat shqiptare.