Gjithsesi, tifozët prisnin më shumë aq më tepër ndaj një kundërshtari të tillë. Megjithatë, shumë pak mund të jenë kritikë ndaj trajnerit, puna e të cilit nuk është vetëm të rikthejë lojën e bukur, por edhe të ndryshojë mentalitetin.
VETËBESIMI
Vetë Flick foli për një mungesë vetëbesimi të lojtarëve të tij dhe kjo e kuptueshme kur vjen pas një periudhe të gjatë dështimi. Epoka “Lëv”, edhe pse ka përfunduar, nuk është zhdukur përfundimisht. Lojtarët gabojnë pikërisht sepse nuk duan të gabojnë dhe detyra e Flikut është të rikthejë besimin dhe të largojë frikën nga lojtarët.
GOLAT
Ajo që duhet të ishte një festival golash, u kthye në një ndeshje të mërzitshme dhe të vakët për skuadrën gjermane, kjo e ndikuar edhe nga kundërshtari i cili kishte pak për të humbur dhe u mbyll në portën e tij. Por, gjithsesi, skuadra duhet të gjente mënyra të tjera për të shënuar dhe për ta bërë debutimin e trajnerit sa më bindës.
ATMOSFERA
Teknikisht, skuadra çaloi, teksa vetëm në fund u kujtua se ndaj kundërshtarëve të tillë duhet më shumë iniciativë personale. Driblime një kundër një dhe pasime në zona të ngushta. Krosimet ishin të panevojshme dhe shumë herë shumë të lexueshme. Lojtarët duhen të jenë me euforikë dhe më pak të trembur, edhe pse të ndodhur në një pikë delikate të eliminatorëve, ata janë të vetëdijshëm për forcën që kanë si skuadër.
Në fund të fundit, futbolli është një lojë që duhet shijuar jo vetëm nga tifozët, por edhe nga lojtarët në fushën e lojës. Kundërshtari festoi humbjen 2-0 ndaj Gjermanisë sikur të ishte fitore, madje disa prej lojtarëve pinë birra dhe hëngrën salsiçe pas ndeshjes në një nga tendat pranë stadiumit së bashku me tifozët. Ndoshta kjo gjë do t’u bënte mirë hera-herës edhe gjermanëve, për të shijuar më shumë punën që bëjnë.