Çka po ndodh me Ferizajn?

Tri rroga minus, pa trajner, dhe me skuadër gjysmake në stërvitje. – Kështu e përshkrua gjendjen e tanishme të Ferizajt, kapiteni Agron Istrefi.

Ai shpreson se gjendja do të përmirësohet. “Sot kemi stërvitur, edhe pse një numër i madh i lojtarëve, nuk iu kanë përgjigjur ftesës së ushtruesit të detyrës së trajnerit, Xhelal Koxha”, thotë Istrefi për GazetaOlle.com.

“Gjendja nuk është e mriz, shkaku i tri rrogave që na kanë borxh kryesia e klubit. Edhe pse kemi marrë premtime që brenda kësaj jave të na shlyejnë një rrogë, ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Po shpresojmë se do të përmirësohet gjendja, pasi kështu na kanë premtuar kryesia”, shtoi ai.

Ferizaj të dielën është mysafir i Vëllaznimit. Momentalisht ata renditen në pozitën e parafundit në Superligë.

Se a do të udhëtojnë për në Gjakovë me ekipin e parë, apo juniorë, mundohet ta sqarojë Istrefi. “Nuk jam kompetent për këtë, se me cilin ekip udhëtojmë. Po shpresoj që me ekipin e parë. Tash varet edhe nga trajneri se kë e grumbullon, sepse një numër i madh s’ka pasur asnjë stërvitje këtë javë”, theksoi kapiteni. (Gazeta Olle)