Çka po ndodh me Besart Berishën, erdhi me shumë bujë por nuk po shihet askund!

Prishtina sivjet si asnjëherë më parë ka bërë investime bukur të mëdha, duke sjellë emra të njohur në skuadër.

Padyshim njëri nga ta është Besart Berisha, i cili në opinion u cilësua si prurja më e madhe që ka zbarkuar ndonjëherë në futbollin tonë. Berisha që ka një karrierë të bujshme në futbollin gjerman, derisa në Australi theu të gjitha rekordet duke u bërë edhe futbollisti më i mirë atje, tek Prishtina ka mbetur plotësisht në heshtje.

Ai deri tash ka vetëm 20 minuta lojë, derisa kohëve të fundit është duke u përballur me një lëndim, i cili siç mëson Demokracia.com do ta lë gjatë jashtë fushe, madje ka gjasa që ai fare nuk do të luajë më te Prishtina.

Nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte një humbje e madhe për bardhekaltrit, madje edhe në aspektin financiar, pasi rroga e Berishës tek skuadra bardhekaltër sillet në rreth shtatë mijë euro në muaj.

Demokracia.com nga burime të afërta me klubin bardhekaltër ka mësuar se në ditët në vazhdim gjithçka do të vendoset sa i përket fatit të Berishës.

Të kujtojmë se përveç Berishës, Prishtina ka humbur edhe me një tjetër futbollist. Fjala është për Kristi Vangjelin që erdhi nga kampionati shqiptar dhe ai pritet të largohet nga kryeqyteti pa lënë shenja fare. Gabimi tjetër i rëndë i Prishtinës ishte edhe me ish-kapitenin e Tiranës, Gentian Muça, që erdhi me bujë, por u largua pa lënë asnjë shenjë.

Demokracia.com ka mësuar se pas përfundimit të edicionit të ri tek Prishtina do të ndodhin shumë ndryshime sa i përket largimit të lojtarëve.

Kosova pranohet si anëtare e Rugby Europe

Besart Berisha largohet nga Prishtina