Çka po kërkon Rafet Prekazi për Përfaqësuesen?

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje miqësore këtë vit.

I shqetësuar me këtë fakt ka mbetur përzgjedhësi Rafet Prekazi. Ai thotë se grupmosha e drejtuar nga ai, ka nevojë për ndeshje miqësore.

“Kemi realizuar një grumbullim dhe së shpejti do ta mbajmë edhe një tjetër. Do të ishte mirë që të aranzhonim edhe ndonjë ndeshje miqësore. Është përgjegjësi e Federatës së Futbollit të Kosovës që të mendojë për miqësore”, ka thënë për sportal.al, trajneri i mirënjohur nga Mitrovica, Rafet Prekazi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, deklaron se aktualisht nuk është në plan ndonjë ndeshje miqësore. “Kemi realizuar disa tubime, por për miqësore nuk ka ndonjë risi”, pohoi Berisha.