Çka ndodhi dhe çfarë po ndodh me Ferizajn?

U organizuan mirë, investuan bukur shumë, sollën disa emra të njohur në skuadër, madje edhe trajner nga jashtë, por në fund gjithçka shkoi huq dhe sot Ferizaj njihet si skuadër e kategorisë së dytë, pasi nuk mbijetoi në elitën e futbollit.

Menjëherë, pas këtij dështimi kritikat në drejtim të menaxhimit të klubit ishin të mëdha, u tha se ky klub që po ndërtohet ditën, dikush po e rrënon natën, madje duke shkuar aq larg se qyteti i Ferizajt mund të mbetet edhe pa klub, pasi tashmë është futur në ujëra të turbullta, të cilat nuk dihet ku do ta shpien. Mirëpo, të gjitha këto i mohon ish- futbollisti i Ferizajt Genc Hyseni, i cili karrierë të bujshme bëri edhe në Maqedoni, Greqi e Shqipëri. Ai e pranon se dikush mund t’ia dëshirojë një gjë të tillë Ferizajt, por kjo nuk do të ndodhë.

“Klubi i vendit tënd duhet të duhet me zemër, je apo nuk je pjesë e tij. Ne fillimisht duhet të punojmë ta bëjmë një Ferizaj unik, e pastaj të shohim për suksese”, ka thënë drejtori i klubit të Ferizaj, Genc Hyseni. Në anën tjetër, ishtrajneri Agron Selmani, i cili bëri revolucion me ekipin duke e kthyer në elitën e futbollit, pas një situatë aspak të mirë që kishte, thotë se te ky Ferizaj shumëçka nuk është në rregull.

ferizaj

Dëshpërimi i madh

Ish- futbollisti i Renovës, Ethnikos Achna, Milano Kumanovës, Teteksit, Shkëndijës së Tetovës, Bregalnicës dhe Rabotniçkit të Shkupit, Genc Hyseni e pranon se largimi nga elita ishte mjaft dëshpëruese, por kjo nuk e largon nga synimi që ka për klubin e vendlindjes.

“Jam shumë i zhgënjyer dhe i dëshpëruar që nuk ia dolëm të mbijetojmë në elitën e futbollit. Kur kam ardhur në klub kam ardhur me dëshirën më të madhe ta ndihmojë këtë klub, pasi qytetarët e Ferizajt e meritojnë ta kenë një klub të mirë dhe të organizuar, por ja që përkundër shumë angazhimeve nuk ia dolëm”, ka thënë Hyseni, duke folur më pas për prapaskenat që e dërguan deri në këtë situate njërën nga skuadrat më me traditë në futbollin tonë. “Ferizaj ka pas shumë kundërshtarë, pra jo vetëm skuadrat që kishim përballë brenda fushës, por edhe jashtë fushës, madje kundërshtarë kishim edhe brenda qytetit të Ferizajt. Klubi i vendlindjes duhet të duhet me zemër, je apo nuk je pjesë e tij, e tek ne kjo nuk ndodh”, ka thënë Hyseni. “Kur e kam marrë klubin, ai ka qenë në pozitën e parafundit në tabelë dhe me shumë probleme si organizative, financiare e shumëçka tjetër. Qëllimi ynë ka qenë ta shpë- tojmë këtë vit Ferizajn nga rënia, që edicionin e ardhshëm të organizohemi ashtu siç i ka hije këtij klubi. Nuk ia dolëm, pasi patëm shumë pengesa gjatë rrugës sonë”, ka vlerë- suar, ish- sulmuesi i njohur kosovar.

ferizaji

Nuk e deshën as gjyqtarët

“Unë asnjëherë nuk kam folur për referimin dhe kam kërkuar edhe nga lojtarë të fokusohen në lojë dhe mos të merren me këtë gjë. Mirëpo, kjo mirësjellje jona na u hakmor, pasi vërtet na dëmtuan shumë. T’ju kujtoj, me Lirinë kemi qenë duke fituar deri në minutën e 90-të, kur na është referuar penallti pa qenë. Me Trepçën kemi qenë duke fituar, na është pranuar një gol pa u futur fare në portë, edhe me Dritën gjithashtu jemi dëmtuar dhe sigurisht edhe këto ndikuan”, tha Hyseni, duke folur më pas për të ardhmen e skuadrës.

Unë, pasi pësuam në ndeshjen e barazhit, kam qenë në dilema nëse duhet të vazhdoj apo të tërhiqem nga klubi, por do të ishte e pandershme ta lë Ferizajn në këtë gjendje dhe të largohem. Kjo do të ishte zgjidhja më e lehtë, por i kam dhënë vetes një premtim që nuk largohem derisa të shoh Ferizajn aty ku e ka vendin. Do të nisim një riorganizim nga fillimi, prej shkollës së futbollit dhe gjërave të tjera përcjellëse, në mënyrë që sa më shpejt ta kthej klubin në elitë. Ka pasur zëra se Ferizaj pas këtij dështimi do të shuhet, madje këtë e kanë dëshiruar ndoshta edhe disa ferizajas, por kjo nuk do të ndodhë. Ferizaj do të organizohet dhe do të kthehet shumë shpejt në shoqërinë elite”, ka përfunduar ish-futbollisti i njohur, tash drejtor i klubit Ferizaj, Genc Hyseni.

ferizaj

Selmani: Kështu nuk shkon më 

Në anën tjetër, ish-trajneri i Ferizajt Agron Selmani, i cili për shumëkënd njihet si legjendë e këtij klubi pas atij suksesit që pati me Ferizajn kur e riktheu në elitën e futbollit, madje në kohën kur skuadra kishte probleme themelore, nuk e kupton pse ky klub vazhdon të përballet me probleme të njëjta e të cilat tashmë të gjithë i dinë se ku ndodhën, por nuk merren masa. “Është e vërtetë që është lakuar emri im në veçanti për suksesin e Ferizajt në atë kohë, por unë suksesin ia atribuoj punës së përbashkët ne relacion kryesi – shtab teknik dhe lojtarë, si dhe të tifozëve”, ka thënë fillimisht Selmani, për t’ju kthyer më pas dështimit të tashëm të Ferizajt.

“Pas inkuadrimit në Superligë, te Ferizaj filloi të ndryshojë gjithçka, klubi nisi të infektohet, ambiciet u fryn, por organizimi nuk ndryshoi për asgjë, as në segmentin financiar, por as në atë organizativ dhe duke u ndier unë si një pengesë lirova rrugën, me besim se klubi do të ecë para, por ja që ndodhi më e keqjalargimi nga liga. Është e vërtetë që KF Ferizaj ka marrë tronditje, por e vërteta është se ne të gjithë aktrojmë nga pak. Ferizaj është në botën e vet, ka një reagim javor dhe gjithçka heshtet më vonë”, tha Selmani.

“Në Ferizaj askush, as punëtorët sportivë, as trajnerët, as tifozët e as gazetarët në nivelin lokal nuk merren drejtpërdrejt me defektin, por heshtazi përkrahin dhe kanë legalizuar një punë të keqe dhe publikut ua pastrojmë trurin duke servuar objektiva të rrejshëm imagjinare. Po e ripotencoj se për rrethana të Ferizajt nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Qyteti i Ferizajt frymon në këtë mënyrë dhe investon me vite në njerëzit e njëjtë, të cilat i prodhojnë tregime të tilla nënçmuese, por me të cilat tregime edhe ushqehet qyteti i Ferizajt”, ka përfunduar Agron Selmani.

ferizaj