Çka do të ndodhë me Andi Lilën nëse falimenton Parma?

Bie poshtë hipoteza e mediave greke për një rikthim të mundshëm të Andi Lilës te PAS Janina. Duke parë falimentimin e Parmës, ditët e fundit gazetat sportive në shtetin fqinj kanë aluduar se Lila do të rikthehet te Janina.

Mirëpo, “Panorama Sport” zbulon se në kontratën që mbrojtësi ka firmosur me klubin italian, ka një klauzolë, në të cilën shkruhet se “në rast aktivizimi qoftë edhe për një minutë me Parmën, kartoni i lojtarit është zyrtarisht në pronësi të klubit italian”. Burime pranë futbollistit, sqaruan dje se edhe në rast se Lila nuk pranon të qëndroj te Parma, atëherë është e sigurtë se do të vazhdoj karrierën në një nga klubet e tjera të Serisë A. Kompania që menaxhon Lilën ka garantuar lojtarin se mundësia e fundit është huazimi në një nga skuadrat e Serisë B, por jo largimi nga Italia.