Çka do të ndodh me Pejën?

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), respektivisht Komisioni Disiplinor pranë saj, pritet ta marrë sot vendimin përfundimtar nëse do ta largojë Pejën nga Superliga apo jo, pasi iu propozua një gjë e tillë dje nga Komisari i Garave.

Njohësit e basketbollit e konsiderojnë vendim fatal, nëse shtëpia e basketbollit kosovar vendor që Verdhezinjtë t’i zbresë në Ligën e Parë, pasi nuk u paraqitën në parket në pjesën e dytë të ndeshjes së tretë finale të “Play-Offit” ndaj Sigal Prishtinës.

Sipas tyre, basketbollit kosovar do t’i humbë me të madhe hijeshia pa Pejën, e cila ndër vite dha kontribut të jashtëzakonshëm në basketbollin kosovar, para dhe pasluftës, andaj njëzëri thonë se duhet falet kësaj radhe.

“Ky rast ishte i veçantë dhe i pazakontë, pasi në të kaluarën kishte ndodhur që ekipet të tërhiqen pas pakënaqësive ndaj gjyqtarëve. Do të ishte diçka e keqe nëse kjo ndodh, kampionati nuk do të ishte më interesant”, thotë për “Zërin” trajneri i njohur, Masar Nixha.

“Nëse e largojnë Pejën nga Superliga, do t’i humbte hijeshia basketbollit kosovar. Prandaj, shpresoj që Federata ta fal ekipin pejan dhe ai të garojë edhe sezonin tjetër në Superligë. Gjithashtu, uroj që raste të tilla më të mos përsëriten në të ardhmen”, vazhdoi “Profa”.

Krasniqi: Largimi eventual i Pejës, grusht i fortë për basketbollin

Trajneri Blerim Krasniqi gjithashtu mendon se Peja e meriton edhe një shans, përkundër veprimit që e bëri të hënën, me tërheqjen nga parketi.

“Ajo që ndodhi i qiti hije të keqe basketbollit kosovar, por për shkak të veprimit të ngutshëm të një individi, nuk është në rregull ta pësojë një qytet i tërë. Peja ka traditë dhe i ka dhënë shumë basketbollit kosovar, si para pranimit në FIBA, ashtu edhe me pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike dhe tash”, theksoi Krasniqi.

“Nëse e largojnë nga Superliga, do të ishte një grusht i fortë i basketbollit kosovar në përgjithësi. Mendoj se, në aspektin sportiv, Pejës duhet t’i jepet edhe një shans”, vazhdoi ai.

Nixha: Peja i jep sharm ligës

Jeton Nixha, një tjetër trajner kosovar, konsideron se Federata duhet ta rishqyrtojë vendimin e marrë dhe t’ia lejojë Pejës pjesëmarrjen në Superligë, përkundër asaj që ndodhi në Superligë.

“Vendimet merren në bazë të propozicioneve të garave, por nuk është interes as i Federatës e as i ligës, që Peja sezonin tjetër të garojë në një rang më të ulët garash. Peja i jep sharm ligës dhe pjesëmarrja e kësaj skuadre në Superligë dhe konkurrenca e saj me Prishtinën, e bën më joshës kampionatin”, deklaroi Nixha.

“Mendoj se tash mund të merret një vendim, por ai mund të rishqyrtohet kur të qetësohen gjakrat dhe Peja të garojë në ETC Superligë sezonin e ardhshëm”, vijoi ai.

Thaçi: Federatë, ke konsideratë ndaj një klubi të madh

Ndërkohë, ish-basketbollisti i njohur shqiptar, Muhamed Thaçi, i ka dalë në krahë KB Pejës, përmes llogarisë së tij në rrjetin social, Facebook.

“Muja”, i cili kishte lënë gjurmë në basketbollin kosovar, duke luajtur për disa skuadra të mëdha, përfshirë këtu edhe Pejën, mendon se Federata duhet ta falë klubin nga Rrafshi i Dukagjinit.

“Vjet Gallatasaray në ndeshjen e 7 të playoffit nuk u paraqit fare në ndeshje Fenerbahçe u shpall kampion!!! Gallatasaray mbet në lige dhe në Eurolige !!! Sivjet në derbin Mzt – Rabotnicki ekipi i Rabotniçkit leshoi lojen dhe prap mbeti në ligë!! Federata e basketbollit të Kosovës duhet te ket konsiderat për një ndër ekipet më të mira nga Kosova.. Dënimi duhet të jet me të holla!!!”, ka shkruar Thaçi.

Sot pritet të vendos Federata përfundimisht për Pejën. Mirëpo, të gjithë sportdashësit shpresojnë që FBK-ja ta bëjë një përjashtim për klubin pejan dhe t’ia lejojë atij pjesëmarrjen në Superligë.

Kasapolli: Mjerë basketbolli

Agim Kasapolli, ish-basketbollist i njohur dhe trajner kosovar, i ka kritikuar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, por edhe ata të Prishtinës dhe Pejës, duke i akuzuar si përgjegjës të gjendjes aktuale në basketbollin kosovar.

“Federata e Basketbollit po udhëhiqet nga njerëz paçacra, të cilët kanë ardhur në postet e tyre në mënyrë klandestine. Të gjithë janë fajtor për këtë që po ndodh, përfshirë këtu edhe njerëzit që e udhëheqin Prishtinën e Pejën. Dhe, po e shihni rezultatin”, shprehet Kasapolli.

“Paramendojeni sikur t’ju lejohej tifozëve ‘Shqiponjat’ për ta ndjekur Pejën në Prishtinë. Kjo dëshmon se drejtuesit e basketbollit kanë ardhur në pozitat e tyre në mënyrë ilegale”, përfundoi ai.